14 shkolla e kopshte të reja do të hapin dyert në Bashkinë e Kamzës deri në mbarimin e rindërtimit.

  • Postuar më 19/01/2021

Në Bashkinë Kamëz, janë të shumta objektet arsimore që po marrin jetë nga themelet, për tja ndryshuar përgjithmonë faqen arsimit në këtë zone. Në Paskuqan, shkolla “Jashar Hoxha” ishte një prej institucioneve arsimore që vuante mungesën e investimeve prej më shumë se 20 vitesh. “Vetëm shkollë nuk mund të quhej”-  përshkruan krytari i Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, gjendjen e mjerueshme të ngrehinës ku zhvillonin mësimin 1100 nxënës të zonës. Por sot, panorama që ofrohet është krejt e ndryshme dhe Kryeministri Rama ndodhet sërish në Kamëz, këtë herë për të vizituar shkollën e rilindur “Jashar Hoxha”. “Nga viti 1998, kjo shkollë  nuk ka patur asnjë lloj investimi. Vetëm shkollë nuk i thoje dot. Ka patur dëmtime të shumta nga tërmeti. Është bërë gjithçka për mobilimin dhe sistemimin e klasave, laboratorëve, ambienteve sportive dhe me të gjitha standardet që kërkohet. Është punuar në kohë rekord”, – shprehet kryebashkiaku Suli.

Laboratorët deri dje inekzistentë, me mungesa të shumta të bazës materiale, sot janë plotësisht funksionalë, – pohon drejtoresha e shkollës, e cila tregon se mjediset ku zhvillohet lënda e kimisë, biologjisë dhe kabineti i informatikës ofrojnë për nxënësit kushte optimale për të zbatuar në praktikë, dijet që marrin gjatë orëve të mësimit.

Por ajo çfarë ka plotësuar dëshirat e nxënësve për mësim dhe njëkohësisht për aktivitete jashtëshkollore, janë mjediset sportive në tokat e dikurshme të lëna djerrë, përreth shkollës. “Më në fund është realizuar ëndrra e nxënësve që të zhvillojnë edukimin fizik me kurrikulën e re tre herë në javë. E presin me padurimim zhvillimin e lëndës së edukimit fizik. Është bërë një investim i mrekullueshëm. Ka qenë një zonë e vdekur”, – shprehet drejtoresha e shkollës.

Tashmë jo vetëm nxënësit, por edhe stafi i mësuesve ka hapësirat që meriton për një proces mësimor dinjitoz. “Stafi ka qënë i mrekullueshëm, por ambienti ishte shumë i vështirë për të punuar. Jemi përballë me situata të vështira, si me të ftohtin e madh, ku nxënësit rrinin të veshur dhe nuk mund të shkruanin dot në dërrasën e zezë. Sistemi hidraulik i tualeteve ka qënë një skëterrë e vërtetë. Tashmë ne punojmë. Nxënësit, mësuesit dhe komuniteti kanë një godinë, e cila do t’u vlejë gjithë kohën”, – vijon drejtoresha e shkollës.

Po ashtu, Kryeministri Rama ndalet në kopështin e ri “Lidhja e Prizrenit”, të cilin e cilëson një vepër arti për akitekturën tepër të veçantë që ka. Kopështi është është disa herë më i madh se ai që ishte, me standardet dhe kushtet më të mira për vogëlushët. Kyetari i Bashkisë Suli thotë se kërkesat dhe interesi për këtë kopësht janë rritur menjëherë, sepse as nuk mund të imagjinohej që kjo zonë të kishte një institucion të tillë.

Nisur nga ky fakt, Kryeministri kërkon që të vendosen kritere të posaçme që favorizojnë familjet në nevojë.

Shkollës dhe kopështit do t’i bashkangjitet dhe ndërtimi i një çerdheje, duke e kthyer në qendër të kompletuar për nevojat e komunitetit.