1000 familje festojnë Vitin e Ri në shtëpitë e reja

  • Postuar më 31/12/2020

400 familje janë kthyer në shtëpitë e tyre të reja në Bashkinë e Shijakut, pas humbjes tragjike të strehës një vit më parë. Sot, në ditën e ndërrimit të viteve, Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe nga kryetari i Bashkisë Shijak, Elton Arbana u dorëzuan çelësat disa prej familjeve përfituese nga Programi i Rindërtimit në Maminas dhe në Xhafzotaj.

“Ta gëzoni, me shëndet dhe me gëzime”, – ishte urimi i Kryeministrit për familjet, të cilat do të festojnë natën e ndërrimit të viteve në strehën e re.

Edhe në Shijak, ashtu si në çdo qytet tjetër, familjet e prekura nga tërmeti kanë marrë bonusin e qerasë që nga dita e parë pas tërmetit, deri në ditën që hyjnë në shtëpinë e re. Ndërkohë që çdo shtëpi e rindërtuar është më e madhe sesa banesa që familjet humbën natën tragjike të 26 nëntorit.

Kreu i qeverisë ndaloi në disa nga shtëpitë e reja për të bërë gëzuar me familjet që tashmë janë zotëruese të një banese të re me standarde bashkëkohore. ‘Vit i ri shpresojmë të jetë shumë më i mirë se ky që kaloi. Në Bashkinë e Shijakut, në total duke përfshirë Tiranën, Durrësin, pjesën e Krujës, Fushe-Krujës, Kavajë, Rrogozhinë, shkojnë rreth 1000 familje që futen në shtëpitë e tyre të reja, të ndërtuara nga procesi i rindërtimit. Më 31 dhjetor janë gati 1000 familje që futen në shtëpi”, – nënvizoi ministri Ahmetaj.

Procesi i rindërtimit vazhdon në të gjithë vendin teksa pas përfundimit të shtëpive individuale, rradha i vjen pallateve dhe komplekseve të reja të banimit. “Në Shijak ka mbaruar procedura për pallatet, për 9 pallatet e para. Ka 3 ditë që është përgatitur kantieri dhe në datën 5, që është dita e parë e punës e vitit në përgjithësi, do hapen themelet në lagjen e re. Ndërkohë, brenda gushtit, maksimumi në shtator, pallatet mbarojnë në bazë të kontratave që kanë kompanitë”, – u shpreh ministri Ahmetaj.