
Arben Ahmetaj
Z. Arben Ahmetaj ka lindur në 28 qershor 1969 në qytetin e Gjirokastrës. Që prej shtatorit 2021 z. Ahmetaj shërben në pozicionin e zëvendës kryeministrit dhe ministër i shtetit për rindërtimin dhe programin e reformave.
Ai mban titullin Doktor i Shkencave në fushën e Sigurisë Energjetike, diplomuar në vitin 2009 në Universitetin e Bukureshtit, Rumani.
Z.Ahmetaj është diplomuar në degën Financë Ndërkombëtare, Tregjet Financiare Ndërkombëtare, pranë Edmund A. Walsh School of Foreign Service, në Georgetown University, Washington, D.C, më pas ka kryer studimet Master në degën Tregti Ndërkombëtare dhe Diplomaci, në Patterson School of International Trade and Diplomacy, University of Kentucky, Lexington.
Në vitin 1991 përfundoi studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, në degën gjuhë angleze, literaturë amerikane dhe angleze. Z. Ahmetaj ka një sërë kualifikimesh profesionale dhe internshipe në një sërë fushash si “Politikat e Zhvillimit”, akorduar nga Qendra për Zhvillim Ndërkombëtar, në Harvard Kennedy School pranë Universitetit të Harvardit; “Ekonomiksi i Teknologjisë”, Programi Kokkalis në Harvard Kennedy School pranë Universitetit të Harvardit; Programet e Financimit të Fermerëve, Farmers Credit Union of Texas, Texas University, në Austin, Teksas etj.
Z.Ahmetaj ka një karrierë të gjatë në administratën publike dhe ekzekutive në disa pozicione të rëndësishme, ndërsa angazhimi i tij politik zë fill me lëvizjen studentore të vitit 1990. Deri në emërimin si zëvendës kryeministër, z. Ahmetaj ka shërbyer si ministër i Shtetit për Rindërtimin, nga 13 dhjetori 2019, i ngarkuar me hartimin, koordinimin dhe monitorimin e programit të rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 e më pas edhe me adresimin e pasojave të pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, në planin ekonomik e financiar dhe hartimin e planit të rimëkëmbjes postpandemisë në periudhën afatmesme e afatgjatë.
Në vitin 2019, z. Arben Ahmetaj ka drejtuar Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave pasi mbajti detyrën e ministrit të Financave dhe Ekonomisë përgjatë periudhës shkurt 2016 – janar 2019. Në shtator 2013 – shkurt 2016, z. Ahmetaj shërbeu si ministër i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes në kabinetin e parë të qeverisë së Kryeministrit Rama. Në vitet 2004- 2005 mbajti postin e zëvendësministrit në Ministrinë e Integrimit Evropian, ndërsa në periudhën 2003-2004 atë të zëvendësministrit në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë.
Ahmetaj ishte Drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve në vitin 1998-1999, ndërsa më herët shërbeu si drejtor i kabinetit në Ministrinë e Financave dhe përgjegjës për marrëdhëniet ndërkombëtare, anëtar i grupit të koordinimit të negociatave me Fondin Monetar dhe për konkretizimin e marrëveshjes postkonfliktuale me ESAF. Z. Arben Ahmetaj është anëtar i Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste. Në zgjedhjet e 25 prillit 2021 ai u zgjodh deputet në Tiranë, duke përfaqësuar Njësinë numër 4 në kryeqytet, ndërsa në legjislaturën e mëparshme përfaqësoi bashkitë Rrogozhinë dhe Kavajë, të qarkut Tiranë. Në vitin 2013 u zgjodh deputet në Qarkun e Gjirokastrës, ndërsa nga viti 2009-2013 përfaqësoi qarkun e Korçës në Kuvendin e Shqipërisë.