Vaqarr, një tjetër lagje e re po merr formë pas tërmetit

  • Postuar më 24/05/2021

Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Shtetit për Rindërtim Arben Ahmetaj inspektuan sot punimet në kantierin e lagjes së re në Vaqarr, e cila po ndërtohet nga Fondiacioni “Fundjavë Ndryshe”, ku përveç shtëpive individuale do të ndërtohen edhe objekte arsimore, një qendër komunitare dhe hapësira të dedikuar për aktivitete sociale dhe rekreative.

 “Jemi në fazën e fundit, njëkohësisht ka vazhduar edhe mobilimi i të gjithë shtëpive. Me përfundimin e këtij procesi, në total është projektuar nga Fundjava që të jenë 50 shtëpi, koordinuar me Ministrinë e Rindërtimit” – tha Arbër Hajdari, drejtues i Fondacionit “Fundjavë Ndryshe”.

“Fundjava Ndryshe ka 50 shtëpi në gjithë territorin, jo vetëm në Tiranë, të koordinuar në vazhdimësi me ne edhe për listën e qytetarëve që përfitojnë në mënyrë që të mos kemi dyfish shpërblim për qytetarët, por dhe të vendosen modelet dhe shtëpitë aty ku duhen”, – tha ministri Ahmetaj.

Kryeministri Rama vlerësoi punën e bërë deri më tani në këtë lagje të re, teksa shtoi se  blloku i ri i banesave sjell edhe një dimension të ri cilësor të jetës komunitare. “Përbën shumë ndryshim  mes një blloku dhe shtëpive individuale një këtu e një aty është i dukshëm. Kjo krijon komunitet, krijon jetë sociale”.

Deri më tani janë janë 20 shtëpi të përfunduara, ndërsa ka përfunduar e gjithë puna për infrastrukturën dhe po hidhet asfalti. Janë bërë kanalizimet për ujësjellësin, ujërat e zeza dhe ujërat e bardha, si dhe është bërë shembja e Pallatit të Kulturës që do të kthehet në një qendër komunitare. Ndërkohë që mobilet e para po hyjnë në shtëpitë e reja, puna do të vijojë me rindërtimin e shkollës së re.