Shtëpia Ime, platforma online për qytetarët e prekur nga tërmeti

  • Postuar më 14/02/2020

Fjala e Kryeministrit Edi Rama gjatë prezantimit të platformës së aplikimit online për qytetarët që përfitojnë nga Programi i Rindërtimit:

Faleminderit që keni ardhur sot, pavarësisht se është një ditë pushimi! Kujtoj se sot bëhen fiks dy muaj nga tragjedia. 60 ditë, edhe me festat e fundvitit në mes, nuk janë absolutisht shumë, përkundrazi janë shumë pak, por më vjen mirë të them që në këtë kohë shumë të shkurtër, ne kemi bërë një volum pune shumë të madh, sepse jemi shumë të vetëdijshëm që ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm, jetik, për mijëra familje, por edhe historik për vendin tonë dhe për qeverisjen, në aspektin e vëmendjes dhe të aftësisë për të krijuar një perspektivë konkrete për të gjithë ata që humbën strehën në më pak se një minutë, humbën gjithë investimin e një jete në më pak se një minutë.

Dua të prek disa aspekte, duke shfrytëzuar këtë rast, në funksion të informimit të qytetarëve që na ndjekin dhe natyrisht, në përpjekjen për të shpjeguar që, kur kërkoj dhe kërkojmë durim nga qytetarët, nuk jemi duke ndenjur duarkryq, përkundrazi po punojmë pa orar për të realizuar në një kohë shumë të shpejtë procese që janë shumë të ndërlikuara. E parë nga larg, kjo është një histori e një shtëpie që është rrëzuar dhe një shtëpie që duhet ndërtuar, por, e parë nga afër, kjo është një histori që ka shumë kapituj në mes; Duke filluar nga kapitulli ligjor, për të cilin na është dashur të shkruajmë në një kohë rekord një sërë aktesh, që nga Akti Normativ me vendim të Këshillit të Ministrave, që do të thotë ligji bazë, deri te një numër i konsiderueshëm aktesh nënligjore në funksion të të gjithë organizmit të procesit. Procesi ka një sërë elementësh që duhen siguruar dhe harmonizuar, për të arritur te momenti i dëshiruar, i dorëzimit të çelësave të shtëpive për të gjithë ata që kanë humbur strehën. Por programi nuk adreson vetëm ata që kanë humbur strehën, por adreson edhe të tjerët që janë dëmtuar në një masë të caktuar nga tërmeti dhe në bazë të shkallës së dëmtimit, – shkallët e dëmtimit janë përcaktuar në bashkëpunim me ekspertët ndërkombëtarë dhe duke iu referuar eksperiencave të vendeve të tjera, – do të marrin një masë të caktuar dëmshpërblimi.

Ne nuk duam të lëmë vetëm askënd që është prekur nga tërmeti, që është prekur pak, ose që është prekur shumë, ose që është prekur në mënyrë pa kthim, nga pikëpamja e strehës.

Aspekti ligjor është adresuar plotësisht dhe tani të gjitha proceset janë futur në rrugë paralelisht, që do të thotë se për të rindërtuar, ne nuk mund të sillemi si individët që ndërtuan pa leje në vitet e mëparshme, d.m.th., ne kemi nevojë për të planifikuar jo thjesht në bazë të ligjit, por edhe në bazë të të gjithë komponentëve teknike. Ne kemi nevojë që, nëse themi do ndërtojmë në zonën e Thumanës, apo në zonën e Laçit, ku projektet kanë avancuar sëbashku dhe me zona të tjera, duhet të bëjmë një studim gjeologjik të terrenit. Duhet të fillojmë që nga studimi gjeologjik dhe pastaj gjitha nivelet e tjera teknike të nevojshme që duhen kapërcyer për të planifikuar, pra, për të bërë masterplanet dhe pastaj për të kaluar nga masterplanet te projekt-zbatimet.

Më vjen shumë mirë të them që në 60 ditë, ne kemi bërë një volum pune që, krahasuar me eksperiencat e vendeve të tjera që kemi studiuar, është shembullor. E them këtë, jo për t’i rënë gjoksit, apo për të treguar që ne po bëjmë një çudi që të tjerët s’e kanë bërë, por eksperienca e vendeve të tjera ka shumë pamje, edhe brenda një vendi të vetëm. Ne kemi Italinë fqinje, një nga vendet më të industrializuara, të zhvilluara të botës, që ka sot që flasim edhe shembuj të rindërtimit me një kapërcim cilësor në raport me tërmetin, të krijimit të kushteve më të mira se ato që qytetarët kishin përpara, por ka edhe shembuj që njerëzit duhet t’i kenë parasysh, që edhe pas 10, 12, 15, 17 vjetësh tërmet, familjet presin sot që flasim, në kabina, akoma nuk janë futur në shtëpi. Ky nuk do jetë rasti ynë, por e them këtë për të treguar që procesi është shumë kompleks. Nuk është një proces që mund të ndiqet nga kafeneja, apo që mund të zhvillohet me shpejtësinë që zhvillohet një komunikim në Facebook.

Paralelisht me studimet dhe me planet përkatëse, pasi janë identifikuar në kohë rekord zonat e rindërtimit, sepse ne nuk duam të bëjmë një rindërtim për të kthyer situatën siç ishte, ne duam të bëjmë një rindërtim për të krijuar një situatë të re në të gjitha aspektet, që në aspektin e familjes që do të marrë një shtëpi më të mirë se ajo që kishte në 95% të rasteve, – ka edhe raste që njerëzit kanë pasur shtëpi vërtetë shumë të mira dhe do t’i kenë prapë shumë të mira, por ne do të bëjmë shtëpi që do të bëjnë diferencën me të shkuarën, – edhe në aspektin e komunitetit. Ne nuk duam që ta lëmë këtë krizë pa e shfrytëzuar në mundësinë që na jep, që në vend se të ndërtojmë në mënyrë të shpërndarë, ashtu sikundër është zhvilluar në mënyrë kaotike, rëndom, Shqipëria, pas kalimit në procesin demokratik, por duam të krijojmë komunitete. Për këtë ka pasur një angazhim nga kryetarët e bashkive dhe të njësive tuaja, që të komunikohet me qytetarët që kanë humbur shtëpitë në zonën rurale dhe t’iu bëhet e qartë pse ka një avantazh shumë të madh, jo thjesht për komunitetin, por dhe për secilin individualisht, që të spostojmë këto familje nga rrënojat e shtëpive ekzistuese, në qendërza që krijojnë komunitet. Kjo do të thotë edhe diçka tjetër, që prona e tyre në shtëpitë ku ata janë prekur dhe ku sot jetojnë në çadrën e ngritur pranë, në oborrin e shtëpisë, mbetet e tyre, ndërkohë që ata do të marrin shtëpinë që do të jenë pronë e tyre në një pronë që sot nuk është e tyre. Edhe nga kjo pikëpamje thjesht praktike do të përfitojnë pronë, nuk do të humbasin pronë. Jo vetëm kaq, por do të përfitojnë në çdo aspekt, sepse, nëse sot i kanë shtëpitë me distancë nga shërbimet dhe duhet që e gjithë familja të angazhohet në udhëtime, që nga fëmijët që duhet të shkojnë në shkollë dhe të bëjnë kilometra të tëra për të shkuar e për të ardhur nga shkolla, tek më të moshuarit, që për të matur tensionin duhet të bëjnë kilometra dhe pastaj të kthehen përsëri në shtëpi, apo tek ata që punojnë në qytet, ndërkohë që duke u afruar kanë edhe shërbimet pranë dhe ajo toka atje, që është në zonën rurale, do të çlirohet nga shtëpia e rrënuar dhe do të jetë toka e tyre në zonën rurale, të cilën do vazhdojnë ta punojnë. Në vend se gjithë familja të ikë për të bërë jetën e vet të përditshme nga toka dhe te toka të qëndrojë babai apo kushdo që merret me tokën, e kundërta të ndodhë, familja do qëndrojë diku tjetër dhe ai që merret me tokën të shkojë te toka dhe jo të lëvizë e gjithë familja. E këtu nuk bëhet fjalë për një familje, por bëhet fjalë për mijëra familje. Ky është një koncept, besoj, i qartë.

Pas kësaj është një punë e tërë që duhet bërë, për të identifikuar zonat, që është bërë, për të parë me sa më shumë nikoqirllëk që mos shkojmë në zona private, pra, mos na duhet të bëjmë blerje tokash apo shpronësime, por në zona publike. Dhe nuk është e thjeshtë, sepse boll të tregonim se çfarë po heqim me pastrimin e pasqyrave të të dhënave të terreneve, ku dalin lloj-lloj çudirash nga ato depot e hipotekës dhe lloj-lloj pseudopronarësh, për të kuptuar që ky proces realisht po bëhet në një shpejtësi të madhe, por edhe me cilësi.

Përtej aspektit të bazës ligjore dhe të planifikimit, qëndron aspekti i garantimit të të gjithë parametrave të ndërtimit. Ne duhet të garantojmë dhe do të garantojmë që parametrat e ndërtimit të jenë të padiskutueshëm. Shtëpitë e reja në zonat rurale të jenë antisizmike, që, nëse (largqoftë!) ndodh në të ardhmen, një lëkundje tjetër e fortë, shtëpitë të jenë shumë herë më rezistente, por nga ana tjetër të jenë shtëpi që garantojnë cilësi jete dhe në zonën urbane ku do zhvillojmë lagje, apo blloqe të caktuara banimi, pallatet të jenë shembullore për nga pikëpamja e të gjithë parametrave, duke filluar nga antisizmika.

Patjetër që është e lehtë të thuhet, por nuk është e lehtë të bëhet. E për këtë është zhvilluar një proces më vete, nga një grup më vete dhe siç e tha ministri, shumë shpejt do të kemi modelet e zhvillimit, që do të thotë tipologjitë e shtëpive që do të ndërtohen në zonat rurale, sipas frymëve dhe sipas volumeve arkitektonike të parashikuara për të garantuar një jetë më të mirë dhe banesat me shumë njësi, godinat e banimit, që do të ndërtohen në qytet.

Vijmë tek ky aspekt që po diskutojmë sot, që është aspekti programor që lidhet me transparencën dhe me garantimin e drejtësisë për çdokënd dhe moslejimin e degradimit të procesit në situata që do të vinin në pozitë të vështirë të gjithë, me dallavere dhe me qoka. I kemi studiuar eksperiencat e vendeve të tjera në të gjitha aspektet. Edhe në këtë aspekt ka shembuj të ndryshëm, sesi proceset e rindërtimit janë kthyer në procese ripërtëritëse dhe e kanë çuar vendin në një shkallë më lart. Por ka edhe shembuj, sesi proceset e rindërtimit janë kthyer në procese penale, gjyqësore, mediatike dhe histori të turpshme.

Për të evituar këtë, por edhe për të garantuar që asnjë qytetar dhe askush të mos mbetet vetëm, ne kemi ndërtuar këtë platformë transparente ku bashkitë do të kenë regjistrin e tyre elektronik të të gjithë familjeve në nevojë për Programin e Rindërtimit dhe të kompensimit dhe ku çdo familje do të ketë akses individual, për ta ndjekur të gjithë procesin. Mjafton që familja e dëmtuar të bëjë aplikimin dhe të marrë kodin e vet në smartphone dhe nga smartphone mund ta ndjekë çdo ditë se ku është procedura e vet.

Në programin që do të plotësojë platformën do të mund të ndiqet i gjithë procesi i rindërtimit edhe vizualisht. Për shembull, do të shohësh se çfarë po ndodh në fshatin Bubq, mund të kesh akses atje dhe të shohësh se në çfarë faze është procesi i rindërtimit në këtë fshat, në tërësi. E nëse do të shohësh individualisht se ku është procesi me shtëpinë tënde, hyn në platformë dhe shikon se ku është procesi me shtëpinë tënde. Do të shikosh se ku është procesi i kompensimit me shtëpinë tënde , sepse vetë nuk e ke humbur shtëpinë, por ke patur dëme dhe je kualifikuar si familje që duhet të marrësh një kompensim, nga kompensimi 1 milionë lekë të vjetra për dëme të lehta, deri tek kompensimi 5 milionë lekë për dëme pak më serioze, por jo dëme që të kanë nxjerrë nga shtëpia, atëherë hyn tek platforma dhe prej andej ndjek gjithë procesin tënd. Kështu garantohet që zyrat e bashkive, ashtu sikundër ne po garantojmë që të gjitha zyrat e shtetit nuk mund t’i ikin e nuk kanë si i ikin më përgjegjësisë, sepse nuk është më vetëm zyrtari dhe qytetari, nuk është më vetëm zyra përkatëse dhe aplikanti përkatës, por është shteti i tërë që të shikon. Ekranet e monitorimit janë instaluar në katin e dytë në Kryeministri, ku është dhe zyra ime dhe në kohë reale, ne do të ndjekim të gjithë procesin. Ndërkohë që është angazhuar një ekip i platformës së bashkëqeverisjes për t’i ndjekur të gjitha vonesat apo ankesat e qytetarëve. Kështu që njësitë zbatuese apo njësitë që merren me aplikimet nuk kanë fare mundësi të fshihen, nuk ka mundësi të ndodhë që t’i thuhet qytetarit “eja nesër”, “nuk e di ku është dosja”, “humbi dosja, do ta shoh”, etj., sepse gjithçka është transparente. Kjo do të na garantojë edhe monitorimin.

Këtu dua të jem shumë i qartë me të gjithë ju që do të merreni me këtë proces. Do të ndëshkohen të gjitha rastet që mund të identifikohen, kur në procesin e kompensimit janë futur familje që nuk e meritojnë. Do të ndëshkohen të gjitha këto raste. Ky nuk është një proces për të bërë qoka, ose për të strehuar njerëz që mund të jenë të pastrehë, të cilët mund të jenë në të drejtën e tyre, por që nuk janë të prekur nga tërmeti. Ky është një proces për të prekurit nga tërmeti.

Aspekti tjetër i rëndësishëm është aspekti i financimit; Si do ta financojmë gjithë këtë ndërmarrje kolosale, që në pamje të parë duket e pamundur. Me BE-në, me Kombet e Bashkuara, me BB-në kemi punuar dhe jemi në prag të finalizimit të raportit të dëmeve. Nga të dhënat e deritanishme jemi mbi 1 miliardë euro. Pak mbi 1 miliardë euro. “Pak” fjala që bie, sepse, në rast se është 1.1 miliardë, është 1 miliardë e 100 milionë. Raporti final do të bëhet zyrtar dhe do të bëhet publik sipas parashikimit në 4 shkurt.

Sigurisht që kostot e të gjithë këtij raporti nuk janë kostot e dëmeve në banesa, që të jemi të qartë, sepse pashë një dy komente të bërë nëpër media dhe e kishin ndarë të gjithë 1-miliardëshin si kosto dëmesh të drejtpërdrejtë për banesa. Nuk është kështu, sepse ne kemi bërë sipas standardeve ndërkombëtare, një pasqyrë 360 gradë të dëmeve, sigurisht duke patur si prioritet dëmet e drejtpërdrejta të shkaktuar për familjet, por kemi shkuar deri tek dëmet e shkaktuara në sektorë të caktuar të ekonomisë, pra, çfarë dëmi i ka sjellë tërmeti një sektori të caktuar të ekonomisë, duke frenuar apo duke e ngadalësuar sektorin.

E në këtë aspekt duhet ta kenë të gjithë të qartë që masa e financimit që ne duhet të garantojmë për qytetarët është më pak se 1 miliardë, por është më shumë sesa mundësitë tona aktuale dhe për këtë arsye, ne kemi vendosur vëmendjen në tre drejtime.

Njëri drejtim është garantimi i një pjese të konsiderueshme të financimit për rindërtimin me buxhetin tonë, me kapacitetin tonë financiar. Për këtë kemi punuar dhe hartuar disa skema, duke shfrytëzuar bazën solide dhe ekuilibrin solid makroekonomik të vendit, duke patur parasysh që vendi për pak muaj do të dalë në tregjet e kapitaleve dhe duhet të jetë solid. Nuk mundet dot të cenohen prapë parametrat e borxhit apo të deficitit, në ndonjë masë që mund të bëhet shqetësuese për ekuilibrin makroekonomik. Ky është një moment për t’i thënë të gjithë atyre që e shikojnë – me të drejtën e tyre – ekonominë e vendit thjesht dhe vetëm si një ekonomi që përkthehet në sa lekë mora unë, që, nëse ne nuk do të kishim bërë reformat që kemi bërë, nëse ne nuk do të kishim qenë ata që kemi qenë dhe nëse do të ishte qeveria e mëparshme që (largqoftë!) do t’i kishte rënë tërmeti, le të themi në vinin 2012-të, sot do të ishte e pamundur që buxheti i shtetit të garantonte jo aq sa ne do të garantojmë, por as një të dhjetën e asaj që ne do të garantojmë për rindërtimin.

Kemi mundësinë të vendosim një volum parash për rindërtimin të konsiderueshëm, vetë dhe pa prekur jo thjesht ekuilibrat makroekonomikë, por pa prekur edhe programet e tjera prioritare, pa prekur investimet e tjera të rëndësishme, pa prekur shërbimet e tjera të rëndësishme, pa prekur kontrollin mjekësorë bazë, që për ata që na akuzojnë është histori oligarkësh, për ne është historia e një shërbimi shëndetësorë falas për gjysmë milioni njerëz çdo vit, që kontrollojnë organizmin e tyre dhe e parandalimit të shumë të këqijave në organizmin e njerëzve; Pa prekur shërbimin e atyre që bëjnë dializën në kushte optimale sot, ndërkohë që deri dje e bënin si skllevër të së keqes; Pa prekur gjithë shërbimin mjekësor në spitale për ndërhyrjet kirurgjikale me instrumente ultramodernë dhe të sterilizuar sipas standardeve. Pa i prekur të gjitha këto, sepse të prekësh këto, do të thotë të prekësh drejtpërdrejtë trupin dhe shëndetin e njeriut, jo xhepin e oligarkëve, siç flasin ca që s’dinë çfarë flasin.

Shtylla e dytë është financimi ndërkombëtar. Ne po punojmë intensivisht. Unë jam i angazhuar në këtë drejtim intensivisht, që të marr një mbështetje sa më domethënëse nga Konferenca e Donatorëve në 17 shkurt. Por e dimë shumë mirë që Konferenca e Donatorëve, nëse do të jetë e suksesshme, siç shpresojmë të jetë, nuk do të thotë që do të mbulojë të gjitha nevojat, do të mbulojë një pjesë të tyre. Ne nuk presim nga Konferenca e Donatorëve që të derdhen miliardat, sepse nuk ka ndodhur ndonjëherë as në vendet e tjera dhe nuk ka edhe pse të ndodhi, por presim të kemi një volum plus për rindërtimin.

E treta, ne po punojmë për disa iniciativa të reja, të cilat nuk mund t’i diskutoj sot publikisht, sepse janë ende në formim. Iniciative të reja politike dhe operacione të tjera financiare, që do të na mundësojnë që aspektin kryesor për ne, që është të mbajmë zotimin tonë për t’i kthyer njerëzit që jetojnë në fshat në shtëpitë e reja, të gjithë brenda vitit 2020, për t’i kthyer nxënësit që kanë humbur shkollën nga tërmeti, në shkollën e tyre të re brenda këtij viti, pra, në sezonin e ardhshëm mësimor, për t’i kthyer trupat tona të shërbimit shëndetësor në spitalin e Laçit, apo në disa qendra shëndetësore të rrënuara, brenda këtij viti, në hapësirat e tyre shumë më të mira dhe pastaj për të akomoduar të gjithë të tjerët në zonat urbane, – sepse në zonat urbane, projektet janë më komplekse, nuk do të ndërtojmë shtëpi individuale, por do të ndërtojmë godina me shumë njësi banimi, – brenda vitit 2021 nëpër shtëpi, të jetë realitet.

Kjo është ajo që duam të bëjmë.

E jo vetëm kaq, por kur njerëzit ta shohin, do jua kujtojmë këtë, sepse e keqja harrohet shpejt, siç janë harruar shumë të këqija. Sepse flitet sot për shërbime dhe për korrupsion nëpër zyra, por të mos harrohet se deri para 4-5 vitesh s’kishte zyra fare, por kishte vetëm vrima dhe përveç asaj, edhe populli te vrima, një vrimë dhe një popullatë tek vrima, në radhë për të paguar dritat, në radhë për të marrë një copë letër. Sot ka radhë, sot ka edhe vrima, sot ka patjetër probleme me ryshfetin, por sot jemi në një dimension tjetër dhe brenda vitit 2020 nuk do të ketë më as vrima, nuk do të ketë më as radhë, nuk do të ketë më as kujt t’ia japësh ryshfetin, qoftë edhe për kënaqësinë që të bëri një shërbim të mirë. Nuk do mund t’ia japësh dot, sepse gjithë revolucioni digjital, do të bëjë që Shqipëria të ketë shërbimin ndaj qytetarit më të modernizuarin në Ballkan, nuk diskutohet.

E keqja harrohet shpejt, por do t’ua kujtojmë e do t’ua tregojmë Thumanën e shkatërruar, edhe atë përpara se të shkatërrohej dhe do të shikojmë edhe Thumanën e rindërtuar. Kështu me radhë, edhe me Laçin, Shijakun e gjitha të tjerat. Kjo është diferenca që ne duam të bëjmë dhe do ta bëjmë patjetër.

Edhe njëherë dua t’ju them juve që jeni këtu, sepse jeni njerëzit kyç të këtij procesi, ju lutem shumë, mos i hyni në hak askujt, mos hyni në gjynah, bëjeni këtë punë, njësoj sikur do të ishit ju që do të kishit ngelur pa shtëpi. Mos merrni iniciativa individuale, për të regjistruar si të pastrehë nga tërmeti, njerëz që nuk kanë lidhje me tërmetin, sepse do të ndëshkoheni.

Kryetarëve të bashkive u them faleminderit shumë për punën që keni bërë deri tani, ka qenë një punë që ju ka rënë mbi kokë, hall i madh mbi shumë halle të vogla, që e bëjnë të madhe edhe barrën tuaj çdo ditë. E keni përballuar me dinjitet dhe me vullnet të madh, por duhet t’i qëndroni mbi kokë këtij procesi, sepse është shumë e rëndësishme që regjistri elektronik i familjeve të jetë shembullor dhe aty të jenë realisht të gjithë ata që kanë nevojë dhe ndarja e shkallëve të dëmit të jetë e drejtë. Jo që ai që do të marrë kompensimin për një dëm të lehtë të futet në një dëm më të madh, që të marrë më shumë lekë, sepse të gjitha këto do të monitorohen dhe kush do të kapet duke bërë këtë, do të ndëshkohet.

Ne kemi ndërtuar një grup që do të bëjë vetëm këtë punë, që nuk e njeh asnjeri, që do të bëjë vetëm testime të integritetit të pasqyrës. Dhe këtu e ftoj opozitën që të dalë dhe të vërë ulërimën për çdo rast spekulimi individual. Natyrisht, kjo do të thotë që i ftoj që të na shurdhojnë me shpifje, por në mes të shpifjeve, siç ka ndodhur në të shkuarën, do të kemi mundësinë të gjejmë edhe ndonjë të vërtetë për ta adresuar. Por në këtë rast jam shumë i gatshëm ta përballoj edhe një ekstra furi shpifjesh, qoftë edhe për një rast të vetëm të një njeriu, të një familjeje që është lënë në harrese, që është lënë jashtë, apo është keqtrajtuar, duke mos u përfshirë në pasqyrë.

Shumë faleminderit!