
“Hasan Vogli” dhe “Qazim Turdiu” janë dy nga objektet arsimore të kryeqytetit që po ringrihen pas goditjes që morën nga tërmeti i 26 nëntorit, jo vetëm më të mëdha e të forta, por edhe si qendra komunitare. Të dyja këto shkolla do të jenë gati për fillimin e vitit të ri shkollor, me ambiente tërësisht të rinovuara dhe moderne, ku krahas laboratorëve të dedikuar dhe terreneve sportive, u shtohet edhe auditoriumi.
Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj, të shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, vizituan dy kantieret e shkollave, për të ndjekur nga afër ecurinë e punimeve.
Ndalesa e parë ishte tek shkolla “Hasan Vogli”, e cila është rritur në kapacitet, nga 600 në 900 nxënës. Punimet kanë avancuar, duke përfunduar gjithë pjesa e infrastrukturës së rëndë, ndërsa në fund të korrikut do të bëhet dorëzimi i godinës dhe më pas pastrimi e sistemimi për të qenë gati për të mirëpritur nxënësit në fillimin e vitit të ri shkollor.
Shkollat e përfshira në programin e rindërtimit, kanë aplikuar edhe konceptin e shkollës si qendër komunitare në shërbim të të gjithë komuniteteve.
Me sistemimin e ambienteve për parashkollorët, tashmë hapi tjetër është edhe sistemi i çerdheve, të cilat vazhdojnë të jenë problem për familjet e reja e që parashikohet të zgjidhet me programin e ri të arsimit.
“-Në programin e ri është me numër të caktuar, 30 çerdhe në vit për Bashkinë e Tiranës, të përfshira në programin e bonusit të çerdhes. Që do të thotë që në katër vite do jenë gati 120 çerdhe që plotësojnë gjithë kërkesën e familjeve”, – tha ministri Ahmetaj.
***
Edhe në shkollën “Qazim Turidiu”, punimet janë në një fazë ta avancuar dhe në shtator pritet të hapë dyert me kapacitet të dyfishuar nga 300 në 600 nxënës.
Shkolla, e cila po rindërtohet nga e para, do t’u shërbejë jo vetëm nxënësve e mësuesve, por edhe banorëve të zonës, të cilët pas përfundimit të procesit mësimor do të mund ta aksesojnë atë si qendër komunitare, koncept ky i aplikuar edhe në shumë shkolla të tjera në kryeqytet.
Edhe kjo shkollë, si çdo institucion tjetër i dijes që po rindërtohet, do të ketë palestër dhe ambiente laboratorike të dedikuara. “Qazim Turdiu” ka qenë një nga shkollat e shumta në kryeqytet që kanë funksionuar me dy turne, por falë Programit të Rindërtimit u bë e mundur shtimi i kapaciteteve dhe zgjidhja përfundimtare e këtij problemi.