Rindertojme bashke – Informim i Ministrit Ahmetaj per ecurine e procesit te Rindertimit

  • Postuar më 22/07/2020

Përshëndetje!

Duke menduar që edhe në kuadër të ligjit për rindërtimin, duke iu referuar detyrimit për të bërë transparencë por dhe për të informuar qytetarët për ecurinë e procesit, mendova të ndaj me mediat të gjithë procesin e rindërtimit deri tani, ku kemi ecur me të gjitha programet dhe në çfarë zonash konkretisht është duke u punuar apo në çfarë territoresh qytetarët kanë arritur të marrin grantet cash të rindërtimit në bazë të programit.

Keni një prezantim të detajuar të cilin do ta kalojmë hap pas hapi së bashku dhe nëse do të keni pyetje, me kënaqësi do të përgjigjemi.

Natyrshëm ka pasur shumë pyetje për donatorët, për kreditë, për çka ka ndodhur me të gjithë angazhimet e donatorëve në shkurt të këtij viti, në 17 shkurt të këtij viti. Dua të ndaj me ju që ka qenë një proces shumë i pashkelur më parë, qoftë nga ana procedurale, qoftë nga ana ligjore dhe praktike.

Në këto 30 vite është hera e parë që një ndërmarrje kaq e madhe e kuadruar në një set aktesh nënligjore, ligjit kuadër dhe në një procedurë të detajuar që ka të bëjë me programimin, projektimin, vlerësimin dhe rindërtimin ose rikonstruksionin të realizohet kështu në kohë dhe cilësi. Pra nuk ka qenë dhe vazhdon të mos jetë e thjeshtë. Besoj që shpejtësia e përgjigjes nga ana qeverisë ka qenë e denjë.

Janë 37 mbledhje të Komisionit Shtetëror të Rindërtimit. Komisioni Shtetëror i Rindërtimit përbëhet nga 9 ministra, aty merren vendime të cilat i propozohen Këshillit të Ministrave dhe janë 36 vendime të KShR-së, të cilat janë transferuar dhe propozuar për 76 vendime të Këshillit të Ministrave. Pra janë 76 vendime deri sot për të detajuar procesin qoftë financiar, qoftë administrativ apo ndërtues, rindërtues në terren.

Ndërkohë dua të ndaj me ju që së bashku me donatorët, ashtu siç vendosëm dhe në shkurt, të kemi një sekretariat teknik të përbashkët për shkak të transparencës dhe koordinimit me donatorët. Për dijeninë tuaj, donatorët marrin nëpërmjet sekretariatit çdo vendim të Komisionit Shtetëror dhe çdo vendim të Këshillit të Ministrave në lidhje me rindërtimin si dhe të gjitha dokumentet shoqërues që mbështesin dhe bazojnë vendimet e Këshillit të Ministrave. Në sekretariat teknik kemi anëtarë nga Shtetet e Bashkuara-1, BE-2, Gjermani-1 dhe Turqi-1. Pra është bërë një kompozim donatorësh dhe me gjeografi të mëdha donatorësh.

Situata aktuale, janë 13,192 qytetarë që kanë marrë  bonus qiraje; janë paguar rreth 20 milionë dollarë ose 2 miliardë lekë. Janë  rreth 3,337 leje ndërtimi të dhëna me procedurë të përshpejtuar, ashtu siç referohen dhe arkitektët në bazë të nenit 6 të ligjit organik të tyre dhe janë 56,164 aplikime  në platformë.

Dua t’ju kthej një moment disa muaj mbrapsht, 4 muaj mbrapsht kur diskutuam platformën. Nuk ishte ndërmarrje e thjeshtë platforma e aplikimit për qytetarët për të verifikuar në detaje teknikisht, inxhinierikisht dhe financiarisht apo legalisht gjithashtu të gjitha dëmet, pra nëqoftëse në Konferencën e Donatorëve u referua një raport ku dëmet ishin mbi 1.1 miliardë, tani këto dëme sigurisht nuk mund të jenë le të themi thjesht të referuara në total, por detajohen deri tek detajet më të vogla, deri tek dëmtimet e mureve të një shtëpie jo vetëm në Tiranë, jo vetëm në qytetin e Durrësit, por deri në fshatin më të largët në 11 bashkitë.

Nëpërmjet një procesi shumë të detajuar teknik që kalon nga vlerësimi deri te vlerësimi i thelluar për të vendosur çfarë lloj dëmi është dhe në çfarë kategorie bie, DS1- dëmtim i lehtë, DS2-dëmtim i lehtë mesatar, DS3-dëmtim mesatar, DS4-dëmtim i rëndë, DS5-dëmtim shumë i rëndë kur shkon deri në shembje. Këto janë shumë të rëndësishme, se janë të lidhura me procesin e kompensimit dhe të përfitimit të dëmit.

Sot buxheti i rindërtimit, pra buxheti i shtetit ka 34 miliard lekë për vitin 2020 ose 340 milion dollarë, nga të cilat 31 miliardë janë burime të brendshme dhe 3 miliardë janë donacionet private apo dhe nga shtete të ndryshme që kanë vendosur t’i derdhin donacionet e tyre në buxhetin e shtetit. Ndërkohë që përtej buxhetit të shtetit janë donacione aktive sot që po flasim, 272 milion euro të cilët unë do t’jua referoj më pas se ku konsistojnë.

Fondet e alokuara, të cilat përbëjnë kryesisht për teknikë buxhetore rreth 20% të totalit të projekteve, janë këto që shikoni. Është rindërtimi i banesave individuale nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, janë alokuar 5.73 miliard lekë. Është në proces, çështje ditësh, mbyllja e prokurimit për njësitë individuale. Ndërkohë Bashkia e Tiranës ka 1.9 miliard lekë dhe siç e patë përpara gati një jave, ka filluar ndërtimi i 50 shtëpive të para, njësive të para individuale në zonën e Farkës. Ndërkohë po vazhdojmë edhe me projektimin e njësive kolektive që do t’i referohem pak më vonë.

Pra siç e shikoni, ka fonde të alokuara për rindërtimin e banesave, rindërtimin e objekteve arsimore, rindërtimin e infrastrukturës në të dyja njësitë. Pse po i referohem Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Bashkisë së Tiranës? Për informacion për qytetarët, këto janë dy njësitë zbatuese. Pra këto janë njësitë zbatuese tw cilave iu alokohen fondet në bazë të kërkesës së tyre dhe kërkesa e tyre është e bazuar në projekte apo në kalkulime të cilat janë në referencë të ligjit dhe të ligjeve të prokurimit, pra ligjit organik për rindërtimin dhe prokurimeve publike dhe gjithë prokurimet bëhen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe nga Bashkia e Tiranës për zonën brenda bashkisë së Tiranës. Pra për të dhjetë bashkitë përveç bashkisë së Tiranës, është Fondi Shqiptar si njësi zbatuese ndërsa për bashkinë e Tiranës është vetë bashkia njësi zbatuese.

Ndërkohë, duke iu referuar dhe transparencës, portali unik qeveritar që kemi për rindërtimin, pra webiste i rindërtimit për dijeninë tuaj (mund edhe ta checkoni, të na mësoni, të na kritikoni ose të na vini në dukje çfarë duhet të përmirësojmë), përditësohet minimalisht një herë në dy ditë.

Janë 4 programe në bazë të ligjit, 3 nga të cilat janë aktive. Rimëkëmbja ekonomike dhe sociale, do të jetë programi i katërt, që ka të bëjë me atë që ne i referohemi “Programi Shqipëria 2030”, që do fokusohet tek rimëkëmbja ekonomike.

Tre programet aktive janë (i) Rindërtimi i objekteve të reja (ajo shuma sot e alokuar dhe aktive), (ii) Grantet e Rikonstruksionit (grantet e rikonstruksionit DS1-DS3 për sqarim për ju apo për qytetarët, janë paratë cash për familjet në bazë të vlerësimit të dëmit, të cilat shkojnë nga 1 milion lekë të vjetra deri në 5 milion lekë të vjetra për të rindërtuar shtëpitë e tyre në bazë të dëmeve nga DS1- DS3). Kemi dhe (iii) Rindërtimin e infrastrukturës publike, ku 1.1 miliard që shihni të alokuara deri më tani  është vetëm  20% i projekteve të  hapura dhe në bazë të alokimeve në vazhdim, sigurisht që i gjithë fondi prej 34 miliardë lekësh do të jetë deri në fund të vitit i ezauruar. (iv) Rimëkëmbja, siç e theksova, do të ketë të bëjë më programin “Shqipëria 2030”.

Janë 143 objekte arsimore në total dhe 33 kantierë ndërtimi në të cilat ka filluar tashmë puna. Një detaj që besoj ju intereson qoftë nga ana e transparencës, qoftë nga ana e procedurës, sot vetëm në Fondin Shqiptar të Zhvillimit përsa i përket Programeve të Rindërtimit kanë marrë punë projektimi, studimi, ndërtimi mbi 100 kompani, pra nuk ka rast brenda programit të rindërtimit ku një kompani të ketë marrë një masë të madhe pune por puna është e ndarë në lote të vogla për të furnizuar kapacitetet në një gamë të gjerë, por edhe për të marrë produktin, pra ndërtimet, në kohë rekord.

Sa për dijeni, pjesa e 53 shkollave që do të financohen nga buxheti i shtetit dhe siç e shikoni numri është 143 shkolla në të 11 Bashkitë, nga të cilat 53 do të financohen nga buxheti i shtetit dhe unë do t’jua detajoj më pas dhe 90 shkollat që do të financohen nga donatorët. Nga ato 53 shkolla që po financohen nga qeveria, 33 janë tashmë në kantierë ndërtimi siç iu referova; unë i vizitoj të paktën një herë në dy ditë një nga kantierët, edhe vetë Kryeministri të paktën 2 herë në javë shkon në kantierët e rindërtimit. Të paktën 4 herë në javë bën takim  me të gjithë aktorët e përfshirë në procesin e rindërtimit.

Zbatimi i programeve për objektet arsimore – këtu kemi ndarjen, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka 38 shkolla për të rindërtuar dhe në proces; KfW nëpërmjet donacionit gjerman prej 9 milion euro ka 3 shkolla; Bashkimi Europian me 115 milionë euro,  është programi EU4Schools1 me 22 shkolla dhe EU4Schools2 me 57 shkolla. Për informacionin tuaj, sot në Këshillin e Ministrave kemi miratimin zyrtar te EU4Schools2, për 57 shkolla. Sllovenia 1 shkollë, Sllovakia 3, TOKI pra Republika e Turqisë 1, Bashkia e Tiranës 15, Katari 3.

Objekte arsimore të financuara nga buxheti I shtetit janë ato që I shikoni në krah të djathtë, në ndërtim janë 33, pjesa tjetër në proces, pra kanë mbaruar projektet dhe janë gati për proces tenderimi. Shumica e shkollave që do të ndërtohen nga buxheti i shtetit do të mbarojnë në fund të Nëntorit.

Një pjesë e mirë e tyre janë programuar edhe në proces prokurimi që të mbarojnë në 26 Nëntor kur shumica e nxënësve do të kthehen në shkollat e rindërtuara me parimin ‘’build back better’’, rindërto më mirë.  Objektet arsimore sipas bashkive: Kamza ka 20 objekte arsimore, keni financuesit dhe donatorët për secilën. Lezha ka 7 objekte arsimore; Tirana 27 objekte arsimore; Kurbini ka 12 objekte arsimore; Rrogozhina ka 6 objekte arsimore; Vora 8 objekte arsimore; Kavaja 12 objekte arsimore; Mirdita 2 objekte arsimore; Shijaku 9 objekte arsimore; Durrësi 32 objekte arsimore; Kruja 20 objekte arsimore.

Për dijeni, të gjitha ato që financohen nga donatorët janë në proces prokurimi nga ata vetë, pra EU4Schools1, EU4Schools2 bëhet nga UNDP që është aprovuar si njësi zbatuese për fondet që vijnë nga Komisioni Europian. Projektin e qeverisë gjermane e bën KfW dhe pastaj pjesa e donatorëve mund të zgjedhin, kanë zgjedhur, qoftë njësi private vetë, qoftë bashkitë vetë.

Kam sjell disa foto për të parë që puna ka filluar në terren, në Bubq do të kemi edhe një site në këndvështrimin tim, i menduar shumë mirë le të themi edhe për gjeneratën e re, jo vetëm shkolla dhe infrastruktura. Këtu jemi në Lezhë në një nga shkollat e Bashkisë të Lezhës, këtu jemi në Durrës e vizituam me Kryeministrin, më besoni që javë mbas jave punimet kompletohen, pra po të nxjerrim një foto pas një jave do shikoni që puna ka ecur me ritme jashtëzakonisht të shpejta. Dhe kjo është një shkollë në Gosë, me shpejtësi ecet edhe aty. Këtu është shkolla e mesme profesionale 26 Marsi Kavajë, e vizituam me Kryeministrin para 2 javësh. Kjo është shkolla e re në Bathore, shumë arkitekturë interesante. Të gjitha shkollat që ndërtohen nga Buxheti i Shtetit, por e njëjta gjë do të jetë dhe nga ato që ndërtohen nga donatorët, nuk janë konceptuar thjesht si shkolla, janë konceptuar edhe si qendra komunitare, pra për t’u përdorur edhe nga komuniteti, plus që ka kombinim shkollë-parashkollor gjithashtu, me një arkitekturë shumë të kujdesshme për fëmijët.

Valiasi, Shtodhër, në Rinas në Ahmetaq – unë e vizitova para një jave dhe këtu ecin shpejt punimet. Shkolla 9-vjeçare “Bedrie Bebeziqi” në Durrës; “Hajdar Hoxha” në Larushk, “Njazi Mastori” në Sukth – një nga ndërtimet më interesante të shkollave, shikoni dhe projektin në krah të djathtë. Në Shijak Gjimnazi “16 Shtatori” që ka filluar punimet me shumë shpejtësi; në Shkozet gjithashtu. Në Krujë, “Kastriot Derveni:, punimet e sotme janë shumë të avancuara, projekti është shumë interesant, mund të shihni në projekt edhe kuadratin e vogël që është parashkollori, pra kopshti. Shkolla tjetër, “Vëllezërit Haradinaj” në bashkinë e Durrësit; “Arif Sulaj” në Kurbin, një nga zonat më të dëmtuara. “Neim Babameto” në Durrës, arkitektura është për mua spektakolare, shumë interesante. Shkolla e mesme e bashkuar në Shijak “Kajo Karafili”; 9-vjecare plus kopësht “Adem Gjeli” po në bashkinë e Durrësit; “Xhelal Shtufi Shkafanaj” është shkollë pak më e vogël, por edhe kjo është konceptuar si qendër komunitare; “Ramazan Jangozi” në Krujë punimet ecin me shumë shpejtësi. Kopshti Nr. 1 Shijak, në fakt sot që flasim pamja është krejt ndryshe. “Lidhja e Prizrenit” bashkia Kamëz; kopshti “Halit Coka” bashkia Kamëz, kopshti “Niko Hoxha” Valias, kopshti “Met Hasa”; 9-vjecarja “Dan Bajrami” po ecën me shumë shpejtësi në Kurbin, do ta vizitojmë javën që vjen ketë shkollë; “Ramazan Subashi” në Vorë, unë isha para dy javësh edhe zgjidhja e konstruksionit ishte shumë avangardë, për të frenuar të gjitha ato mundësi negative gjeologjike dhe gjeografike që afronte fatkeqësisht terreni, por zgjidhja inxhinierike është shumë e avancuar.

Këtu kemi projektet e miratuara të cilat janë në proces prokurimi, një nga projektet është edhe shkolla  “Sami Frashëri” në Tiranë.

Ndërkohë për sa i përket banesave individuale, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka rreth 3000 banesa. Sot në KSHR do të kalojmë një numër të madh banesash, rreth 600 banesa në Durrës dhe në Shijak për t’i kaluar dhe ato në lotin e dytë tek Fondi Shqiptar i Zhvillimit që të fillojnë punimet, besoj për maksimumi tre-katër javë të tjera. Bashkë me këtë lot, Fondi Shqiptar i Zhvillimit këto dy-tre ditë mbyll një numër prej 668 banesash dhe një numër të ri prej gati 600 banesash; pra brenda katër-pesë javëve 1200 shtëpi do të jenë në proces rindërtimi.

Ja edhe shifrat e bashkisë Tiranë; tashmë ka filluar është lidhur kontrata për të parat, ka filluar ndërtimi i 48 banesave të para në Farkë, besoj që ju e patë dhe Kryeministrin  që të inauguronte punimet.

Këtu ju kam sjellë një banesë modulare shembull, është projekti i miratuar nga Enti Kombëtar i Banesave ky është një shembull në Luz, Kavajë.

Për banesat kolektive, që i referohet dhe vazhdimisht Kryeministri si një nga më komplekset, për informacionin tuaj, sot Këshilli i Ministrave aprovon 16 miliardë lekë për Fondin Shqiptar të Zhvillimit për banesat kolektive, pra pallatet, dhe së bashku me to dhe për hartimin e projekteve që do të thotë që janë 160 milionë dollarë për ndërtimin e pallateve në zonat jashtë bashkisë së Tiranës. Aprovohen sot në Këshill te Ministrave dhe iu alokohet mbi 20 përqind e fondit, në bazë të procedurës buxhetore për të filluar prokurimin dhe në bazë të procedurës së prokurimit mendohet që në fund të shtatorit të kemi hapjen e themeleve në një set të gjerë pallatesh në të 10 bashkitë jashtë Tiranës.

Ne bashkinë e Tiranës jemi në përfundim të modelit financiar edhe të poli-qendrave, besoj që 5 Maji është i pari. Dje së bashku me kryetarin e bashkisë dhe nënkryetarin detajuam procedurën, financimin për 5 Majin në mënyrë që në dy javët që vijnë të hapet dhe procedura për 5 Majin në Tiranë.

Zbatimi i programit të infrastrukturës, janë 18 zona gjithsej që do të zbatohen nga FSHZH. Sot janë 4 kantierë ndërtimi. Isha dje në një prej tyre, në Fushë-Krujë, besoj që zona zhvillimore në Fushë-Krujës do jetë një nga më të bukurat që mund të merret dhe si model; do jetë një kombinim midis shtëpive individuale, pallateve të ulëta dhe një zonë gjeografikisht shumë ofruese për qytetarët që do krijojnë një qendër të re në Fushë Krujë, me një akses shumë, shumë, shumë, të përmirësuar në rrugët kryesore, me një infrastrukturë moderne, pa asnjë ekzagjerim.

Bubq, e njëjta gjë, po vazhdon infrastruktura. Fushe Krujë, e përmenda. Kavajë, janë 7 pallate, ka filluar puna e infrastrukturës dhe projekti i detajuar për ndërtimin e 7 pallateve. Në Thumanë ka ecur puna gjithashtu, këtu Buxheti i Shtetit po ndërton infrastrukturën ndërsa Firdeus do të bëjë donacion njësitë individuale. Javën që vjen e kalojmë kontratën me Firdeus edhe në Këshill të Ministrave.

Grantet e rikonstruksionit, gjithashtu kjo pjesë është interesante.  Dua t’ju sjell për një sekond në një realitet financiar ku me gjithë vështirësitë e pandemisë, me gjithë rënien ekonomike që ka ndodhur globalisht dhe Shqipëria nuk ka shpëtuar dot nga rënia ekonomike, dua t’ju ftoj të shikoni këtë shifër 7.6 miliardë lekë të akorduar nga qeveria për këtë program, ose 80 milionë dollarë afërsisht sepse po rritet shifra, siç e shikoni në shënimin procesi i miratimit vazhdon në Tiranë dhe ne Durrës, pra do të jenë mbi 80 milionë dollarë brenda mesit të gushtit të paguara në dorë për mbi 23 mijë familje; pra 80 milionë dollarë kesh në dorë për qytetarët, për familjet e zonave të dëmtuara. Është një premtim i mbajtur; e mbani mend skepticizmin, unë i referohem skepticizëm me legjitimitet, se për shkak të historisë 30 vjeçare të qeverive që ndodh ndonjë fatkeqësi natyrore dhe nuk janë përgjigjur, shumëkush thoshte “po pse, vërtet e kanë, do na japin pagesat”? I keni parë të gjitha takimet që bën Kryeministri online për të verifikuar ecurinë e procesit të granteve, janë procese reale, mbi 20 mijë familje reale në Tiranë, Shijak, Durrës etj., që po marrin grantin e rikonstruksionit.

Këtu i keni të detajuara, sigurisht që këtë material do t’jua vëmë në dispozicion që edhe t’i verifikoni edhe në referencë të transparencës. Tek Grantet e rikonstruksionit gjithashtu janë ambientet e përbashkëta, pra marrin grant bashkitë për të rikonstruktuar ambientet e përbashkëta të pallateve të dëmtuara; pra pallati është dëmtuar DS3, familjet marrin grantet cash për të rregulluar shtëpitë e tyre, bashkia merr fond për të rikonstruktuar ambientet e përbashkëta. Deri më tani fondi është 1.7 miliardë lekë, 17 milionë dollarë, proces që është në vazhdim.

Kemi vlerësimin e dosjeve DS4-DS5, pra të parat u bënë ato të shkallës DS1, DS2, DS3 dhe tani ka filluar DS4-DS5. Këtu kombinimi është pak më specifik, sepse DS4 janë ato dëmtime që ne i referohemi si të rënda dhe që do të duhet preventiv për t’i rikonstruktuar. DS5 kryesisht janë ato që shemben.

Shpronësimet janë proces. Për dijeninë tuaj të shtunën do të bëhet gati site për Entin Kombëtar të Strehimit  të Turqisë në Laç për të filluar atë që ne i referohemi “projekti Toki” dhe iu dorëzohet site të hënën për të filluar punimet, një projekt prej 45 milionë dollarë. Në Thumanë është e njëjta gjë, por në Thumanë kemi parasysh që do jetë Firdeus fondacioni që do të ndërtojë banesat.

Shembja e objekteve, besoj që kjo është tashmë pa interes për ju; ishte me interes momentin e parë të fillimit të pastrimeve dhe të bërjes gati të terreneve por gjithsesi për informacion dhe transparencë unë e kam sjellë.

Zonat e reja për zhvillim, janë 24 plane të detyruara vendore të miratuara, 6 në proces, për shembull Spitalla që do të investohet nga Emiratet e Bashkuara Arabe, jemi në përfundim, arsyeja është thjesht numërimi i detajuar i nevojës në Durrës për apartamentet e reja duke iu referuar dhe procesit të vlerësimit.

Zonat pikësore, ka edhe zona pikësore në qytete ku ndërhyrja do jetë atje ku është rrëzuar pallati, këto quhen ndërhyrje pikësore. Ka disa në Durrës, ka disa në Shijak, ka disa në Kavajë, ka edhe disa në Mirditë. Nuk e dimë sa do të ketë akoma në Tiranë sepse vlerësimi vazhdon.

Marrëveshjet me donatorët, i kemi grupuar sipas angazhimit në dy sektorë kryesorë strehim dhe edukim. Është dhe grupimi “të tjera”, ku po i referohemi për shembull trashëgimisë kulturore. Nga 115 milion euro të Komisionit Europian, 50 milion euro do të jenë për Trashëgiminë Kulturore. Është një projekt më vete, pra 65 milion nga 115 milionshi do të jenë për objektet arsimore ndërsa 50 milionë do të jenë për Trashëgiminë Kulturore.

Një projekt tjetër që do jetë të themi flagship, pra si një projekt shembull, është projekti i Durrësit në zonën e amfiteatrit.

Harta e donatorëve për informacionin tuaj me emër, me angazhim, me sektor, në çfarë bashkie zbatohet, ku jemi me marrëveshjet –hartuar – nënshkruar – miratuar dhe njësitë zbatuese, pwr secilin donator dhe secilin projekt.

Pra ky ishte i gjithë informacioni që unë doja të ndaja sot me ju.

Dua që përtej informacionit, të them që procesi i rindërtimit ka 2 elementë shumë thelbësorë. Ka elementin emocional – politik, ka dhe elementin administrativ. Tek elementi administrativ unë u fokusova për të ndarë me ju procesin ku jemi, sa shpejt kemi ecur, cilat kanë qenë vështirësitë, ku janë donatorët, ku jemi ne me punët. Në aspektin tjetër që është emocional-politik, s’harrojmë asnjëherë, madje në çdo takim Kryeministri i fton kryetarët e bashkive dhe të gjithë ata që marrin pjesë në procesin e rindërtimit, të mendojnë sikur ata vetë janë duke jetuar në çadër ose e kanë shtëpinë të dëmtuar dhe në bazë të saj të kontribuojnë dhe të angazhohen me shpejtësi për të zgjidhur problemet.

Në aspektin tjetër, për një forcë politike ka rëndësi shumë të veçantë. Nuk është thjesht ajo që ne dolëm dhe thamë do ta bëjmë. Është një vërtetim i mbajtjes së fjalës dhe një verifikim i asaj që kemi thënë në vazhdimësi. Kush është personi, cila është forca politike që i përgjigjet një populli të tërë ditën që ka nevojë, sepse në ditë normale të gjithë dinë, mburren, flasin, që mund të qeverisin.

Kemi pasur dy ngarkesa të mëdha, një goditje nga tërmeti, një nga pandemia dhe çdo qytetar që shikon që procesi i rindërtimit ecën, çdo qytetar që shikon që del një akt normativ që mbyll baret e natës, klubet e natës në përgjigje të rrezikut që sjell pandemia, do të reflektojë që në ditën e orës së vështirë, në atë që shumëkush në histori i referohet si “dark hour”, ora e vështirë, cila është forca politike dhe kush është lideri që përgjigjet.

Procesi i rindërtimit është një përgjigje shumë e drejtë, shumë emocionale por e verifikueshme që kjo qeveri, ky Kryeministër, nuk përgjigjet vetëm në ditë të mirë. Patjetër që kemi shumë për të përmirësuar, pafund e pafund e pafund, por në ditën e vështirë, në atë momentin kur bie tërmeti, në atë momentin kur bie pandemia, tek kush i kthejmë sytë?! Dhe besoj që kjo do të na shoqërojë që tani dhe deri për një afat shumë të gjatë së bashku. Sepse vështirësitë nuk kanë mbaruar, rindërtimi vazhdon, pandemia siç i themi nga Gjirokastra është nëpër këmbë, është prezent dhe ne na duhet qeveria dhe njeriu i orës së vështirë.

Faleminderit!

***

  1. Ahmetaj: Nëse keni pyetje?

Gazetari: Z. Ahmetaj përsa i takon donacioneve, kur pritet implementimi i fazës së dytë?

  1. Ahmetaj: Nuk e di çfarë i referoheni si faze të dytë, por donacionet janë të gjitha tashmë në proces, për shembull, shumë shpejt UNDP do të informojë Ministrin e Shtetit për Rindërtimin dhe KShR-në për rezultatet e prokurimit që ata kanë për shkollat. E njëjta gjë do të ndodhë për KfW. Besoj që me dorëzimin që do t’i bëjmë site-it të Laçit të shtunën, TOKI do të fillojë menjëherë ndërtimin e banesave aty; tenderi është bërë nga pala turke, ka fituar një kompani turke, është autorizuar nga qeveria turke, kanë ardhur këtu, kanë filluar të gjithë proceset e para të rregullimit të kantierit dhe presim site-in. E njëjta gjë me Emiratet por aty kemi akoma një hap për të bërë së bashku me projektuesit dhe bashkinë e Durrësit për të përcaktuar përfundimisht nevojën se sa apartamente duhen ndërtuar, që të mos ndërtojmë as më pak e as më shumë. Pra është në proces.

Për informacion ne jemi në proces edhe me kreditë, një pjesë kanë qenë kredi të angazhuara por që u adoptuan për rindërtimin, për shembull, qeveria Franceze nëpërmjet AFD-së u angazhua me 60 milion euro. 60 milion euro sot janë autorizuar nga qeveria Franceze me dakordësimin e qeverisë Shqiptare për ujësjellësin e Durrësit, që është pjesë e programit të rimëkëmbjes. E njëjta gjë vlen edhe për 85 milionë të qeverisë Italiane. Pra qeveria Italiane po fokusohet në ekonominë e detit (blue economy), po fokusohet tek Agjensia e Emergjencave Civile ku rreth 30 milionë euro të kredisë do të shkojnë për përmirësimin e flotës, për kapacitetet, për ndërtimin e zyrës operacionale, pra nuk është së janë të gjitha qe po shkojnë tek ndërtimi i rrugës ose po shkojnë te ndërtimi i shtëpive ose i shkollave, është gamë më e gjerë, që nuk futen më vetëm ngushtësisht tek rindërtimi, por futen pak më gjerë tek rimëkëmbja ekonomike.

Faleminderit! Kalofshi mirë!