Nënshkruhet kontrata e parë për rindërtimin e shkollave, BE dhe UNDP përzgjedhin 22 objekte në 5 bashki

  • Postuar më 15/04/2020

Është nënshkruar sot kontrata e parë për rindërtimin e shkollave të dëmtuara si pasojë e tërmetit të datës 26 nëntor 2019, mes bashkimit Europian dhe UNDP, në vlerën 15 milionë euro.

Të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit, të zhvilluar online, ishin Ministri i Shtetit për Rindërtim z. Arben Ahmetaj, Ambasadori i Delegacionit të BE në Tiranë z. Luigi Soreca, drejtuesja e zyrës së UNDP për Shqipërinë znj. Limya Eltayeb dhe zv.ministri i Arsimit z. Olti Rrumbullaku.

Në kuadër të mbështetjes së ofruar nga Bashkimi Europian për Rindërtimin, që në total kap vlerën e 115 milionë euro, shuma prej 15 milionë euro është dedikuar për rindërtimin e shkollave, proces që do të zbatohet nga UNDP.

BE dhe UNDP kanë përzgjedhur për rindërtim e rikonstruksion 22 shkolla në 5 bashki të prekura nga tërmeti.

Po kështu donatorë të tjerë kanë shprehur interesim për të financuar ndërtimin e objekteve arsimore, ndërsa qeveria shqiptare ka hapur tenderin për rindërtimin e rikonstruksionin e një pjese të objekteve arsimore, përmes njësive zbatuese Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe bashkia Tiranë.