Laç, vijojnë punimet në lagjen nr. 1

  • Postuar më 16/01/2021

Punimet për rikonstruksionin dhe meremetimin e pallateve dhe ambienteve të përbashkëta vijojnë në Laç. Kryeministri Rama në vazhdim të vizitës së tij në këtë qytet të goditur fort nga tërmeti i 26 nëntorit u ndal pas kantiereve të pallateve të reja, edhe në lagjen nr. 1 ku po kryhen rikonstruksione e meremetime të ambienteve të përbashkëta, si edhe po vishen me shtresë kapot e do të ribëhen nga e para fasadat e 140 pallateve për 1500 familje.

Kryetarja e Bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara u shpreh se lagja nr. 1 “është lagja më e vjetër e qytetit dhe fatmirësisht nuk ka pasur dëme të mëdha nga tërmeti. Janë dëmtime kryesisht DS1 dh DS2 dhe kemi ndërhyrë me riparime të jashtme dhe të brendshme të ambienteve të përbashkëta. E gjithë kjo lagje do përforcohet me sistemin kapot dhe do bëhen të gjitha çatitë me hidroizolim. Në Kurbin do marrin grante për riparim 140 pallate dhe janë përfitues rreth 1500 familje. I gjithë qyteti do marrë një ndryshim dhe përshtatja e fasadve do jetë dhe në përshtatje me dy lagjet e reja që po ndërtohen këtu. Paralelisht kemi filluar në lagjen e parë nr. 1 dhe në qytetin e Mamurrasit, ndërkohë që kemi pallate në njësinë administrative Milot e  po ecim njëkohësisht dhe me to”.

Duke ndjekur punimet, Kryeministri nënvizoi se “përveç pallateve të reja, shkollave, kopshteve dhe spitalit , edhe pjesa tjetër do të jetë komplet një qytet i ri”.

Programi i Rindërtimit vijon në çdo zonë të prekur nga tërmeti i nëntorit me pasoja shkatërruese, teksa ditë pas dite, një pjesë e madhe e banorëve që humbën shtëpitë e tyre individuale, po kthehen në shtëpi të reja më të mëdha, më të bukura e sigurisht në të forta falë këtij programi.