Komiteti Kombëtar i Rindërtimit në takimin e 4-t

  • Postuar më 17/02/2020

Nga mbledhja e katërt e Komitetit Kombëtar të Rindërtimit:

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit për kohën dhe praninë tuaj!

Sot kemi këtë mbledhje të radhës së Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, për të parë dhe vlerësuar ecurinë e procesit në të gjitha aspektet. Ajo që unë dua të nënvizoj është së pari, kemi raportin përfundimtar të vlerësimit, të bërë me ekspertë të Bashkimit Europian, Bankës Botërore dhe Kombeve të Bashkuara. Raporti na jep edhe bazën për të zhvilluar Konferencën e Donatorëve në Bruksel, por edhe për të pasur për më tutje, një pasqyrë të qartë të të gjitha aspekteve që duhet të mbajmë parasysh gjatë procesit.

Së dyti, kemi përfundimisht Zonat e përcaktuara të Zhvillimit, një pjesë të konsiderueshme të planeve dhe ndër to kemi planet e avancuara të Laçit, të Thumanës e të Shijakut, që janë tre zonat ku rindërtimi do të nisë më shpejt se sa në zonat e tjera, pra, së shpejti. Kemi modelet e konfirmuara të banesave individuale, sipas topologjive. Që do të thotë që jemi gati që në ditët e ardhshme të dalim në procedurën e garës së hapur ndërkombëtare, për të ftuar kompanitë që të ofrojnë suportin për shtëpitë individuale. Po ashtu kemi të gjithë të dhënat lidhur me institucionet e shërbimit arsimor dhe shëndetësor, si dhe hyrjen në fazën e projektimit për të bërë të mundur që në një kohë shumë të shpejtë, të fillojmë procedurën e garave, në mënyrë që të fillojmë me rindërtimin.

Krahasuar me proceset normale të analizës së planifikimit e të projektimit kemi ecur shumë më shpejt, por nga ana tjetër jemi shumë të vetëdijshëm që njerëzit kanë çdo orë, – jo çdo ditë, – pyetjen se kur do të kthehen në shtëpi dhe për këtë dua të kërkoj me shumë përulësi durimin e tyre. Ne po bëjmë maksimumin dhe duam të bëjmë një proces rindërtimi ku gjithçka të jetë sipas standardeve, gjithçka të jetë sipas kushteve optimale për ato kategori ndërtesash që janë pjesë e procesit dhe ku në fund, gjithkush të marrë një shtëpi më të mirë se ajo që kishte nga kjo pikëpamje. Për këtë arsye është e nevojshme të bëhet pak durim.

Më vjen keq që në raste të caktuara kam parë edhe disinformim dhe përpjekje për të njollosur procesin, duke u përpjekur edhe njollosja e miqve tanë që janë këtu të përfshirë nga organizatat e rëndësishme të solidaritetit, të cilët dua t’i falenderoj në mënyrë të veçantë për bashkëpunimin, për durimin dhe që jo vetëm kanë kuptuar, por edhe kanë mbështetur e garantuar që procesi të jetë proces i përbashkët dhe i integruar dhe jo një proces ku secili hidhet në drejtimin e vet, bën çfarë i thotë dëshira dhe mendja e vet, duke krijuar konfuzioni dhe një lloj pazari të madh ku nuk merret vesh e kujt është tezga.

Kjo është pjesa që meriton një vlerësim dhe një falënderim. Duke i shprehur solidaritetin edhe miqve që i kam në dy krahët dhe përballë, për këto goditje skandaloze që nuk kanë asnjë lidhje me pozicionin dhe me angazhimin e tyre, sikur me demek nuk po bëjnë asgjë dhe donacionet nuk dihet ku kanë shkuar, siguroj edhe një herë që çdo qindarkë e publikut, qoftë përmes buxhetit, qoftë përmes donacioneve, qoftë në drejtim të qeverisë, qoftë në drejtim të organizatave të përfshira në këtë proces e janë këtu me ne, është në pritje të ekzekutimit të projektit. Ekzekutimi i projekteve kërkon edhe pak kohë për të nisur, sepse projektet duan kohën e tyre.

Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj: Faleminderit Kryeministër!

Fokusi sot do të jetë tek ecuria e procesit, zonat e reja për zhvillim, hartimi i planeve të detajua vendore, shpronësimet, modelet e banesave, raporti përfundimtar i dëmeve dhe nevojave dhe projekti që kemi me Entin Kombëtar të Banesave të Republikës së Turqisë.

Në nivel inspektim jemi në nivelin 51 026 banesa. Dua të theksoj që janë rreth 8 925 banesa të pabanueshme, ndërkohë vazhdon vlerësimi i thelluar, qoftë në Bashkinë e Tiranës, qoftë nëpërmjet Institutit të Ndërtimit. Instituti ka ecur me shumë shpejtësi. Janë 357 pallate të inspektuara thellësisht, pra, vlerësim i thelluar, nga të cilat 115 janë për t’u shembur dhe procedura e shembjes është shumë e detajuar, në prezencë të disa institucioneve pas daljes së raportit. Janë 242 për t’u rikonstruktuar, ndërkohë kemi situatën e shtëpive individuale ku për t’u shembur janë 1523 dhe vazhdon procesi i vlerësimit.

Nga vlerësimi i thelluar në shkolla, janë inspektuar 79, për rikonstruksion janë 62 dhe riparim 17, ndërkohë vazhdon vlerësimi i theluar. Shumë shpejt do kalojmë në fazën e dytë të programimit dhe projekteve të detajuara të shkollave. E njëjta gjë vlen edhe për qendrat shëndetësore, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë

Kryeministri Edi Rama: Më fal, rikonstruksion do të thotë rindërtim nga e para?

Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj: Po, shumë prej tyre pas rezultatit të vlerësimit të theluar, patjetër.

Në Bashkinë e Tiranës, vlerësimi i thelluar, sëbashku me raportet e detajuara mbaron në fund të marsit, fillim i prillit.

Objektet e shembura janë 88 deri më sot, sipas qarqeve. Ndërkohë janë akomoduar në çadra 10.023 qytetarë. Në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave, bonusi i qerave ka prekur të gjitha qarqet. Janë 12 mijë familje që përfitojnë nga bonusi i qerave. Ndërkohë kemi ecur me lejet e ndërtimit në të tria qarqet. Janë 1455 leje me procedurë të përshpejtuar.

“Shtëpia ime” është aplikimi në platformë dhe është një domosdoshmëri ligjore, sepse është dokumenti i parë ligjor që do të ketë inventarin e plotë të familjeve, të gjithë pjesës që shoqëron aplikimin dhe dosjen legale që bën të mundur përfitimin, në raport me dëmin e në raport me frymët në familje, qoftë në aspektin financiar, qoftë në aspektin e metrave katrorë.

Janë më shumë se 14 mijë aplikime në total. Janë 264 usera që punojnë, janë zyra në çdo njësi administrative dhe jo një zyrë, por disa zyra. E filluam me 100 aplikime në ditë dhe sot jemi në 2 mijë aplikime në ditë.

Donacionet që janë nga ana e procedurës së buxhetit të verifikueshme. Ato që janë angazhime qëndrojnë angazhime. Ndërsa pagesat janë qoftë nëpërmjet e-albania, qoftë nëpërmjet derdhjeve direkt në thesar, nëpërmjet llogarisë bankare.

Portalin unik, tani e kemi aktiv, por gjithsesi edhe kjo është punë në proces. Praktikisht këtu do të kemi të gjithë informacionin për rindërtimin, zonë më zonë, proces më proces, shtëpi më shtëpi, donacion më donacion, aktivitet për aktivitet. Do të menaxhohet nga një njësi e posaçme brenda Këshillit të Ministrave e teknikisht do të administrohet nga AKSHI. Janë të lutur të gjithë organizatat të sjellin informacion, sigurisht do ketë një rregullore për përpunimin e informacionit, që çdo gjë që ndodh në procesin e rindërtimit të jetë në këtë website ku qytetarët ta shikojnë online, në kohë reale, çdo gjë që ndodh, kudo qoftë në zonat e dëmtuara, që nga ana financiarë, deri nga ana e rindërtimit.

Zonat e reja për zhvillim janë 24 plus 1. “Plus 1” i referohem ndërhyrjeve të pikëzuara në territor, pra, jo në formën e zonave të reja për zhvillim. Kemi një procedurë të tërë teknike ligjore, e cila të detyron domosdoshmërish për të mos ndërtuar shkel e shko. Në Laç janë dy zona, pjesa ku do ndërtojë Enti i banesave të Turqisë, pjesa tjetër është zona dy ku do të ndërtohet nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit. E njëjta gjë edhe për Thumanën, është shpallur, ka filluar plani i detyruar vendor dhe mbaron 26 shkurt. Është një nga zonat më të avancuara e jo më kot, edhe për arsye të dëmeve të rënda, apo të humbjeve të tjera që kaloi zona.

Shijaku është një zonë brenda qytetit dhe e mbaron si plan në datën 26 shkurt. Presupozon një ndërhyrje jo thjesht të rikonstruksionit e të rindërtimit, por dhe një riurbanizim me një logjikë urbane dhe ekonomike moderne. Këtu, në maj do të kemi fillimin e punimeve në terren. Numri i familjeve është 1142, të cilat do të gjejnë strehim dhe le të themi një strukturë jete shumë më urbane ekonomike të zhvilluar, se ajo që po lëmë pas.

Fushë Kruja, plani i detyruar vendor mbaron në datën 6 mars. Bubqi, gjithashtu në 6 mars. Jo më kot i referohem datës së planeve, sepse kemi biseduar edhe me gjithë OJF-të dhe organizatat që janë të interesuara për të marrë pjesë e kanë shprehur gatishmërinë e drejtpërdrejtë, edhe të verifikuar, për të kontribuuar. Pas tyre fillojnë projektet e zbatimit.

Vora do ketë ndërhyrje shumë serioze brenda qendrës së Vorës. Plani i detyruar vendor mbaron më datën 6 mars.

Durrësi, sipërfaqja 10 hektar, plani i detyruar vendor mbaron më datë 6 mars, për ata që i referohen si zona e ish UMB-së. Në Durrës kemi dhe dy zona të tjera, që ne e quajmë ndërhyrje e pikëzuar. Mendoj se do fillojnë goxha më shpejt se pjesa tjetër.

Në Kavajë, specifike janë 10 pallate që shemben e që për dendësinë e ndërtimit dhe popullsisë është numër i madh. Plani i detyruar vendor është në 6 mars, gjithashtu.

Zona e Lezhës ka dy zona. Bashkia e Lezhës ka le të themi një tendencë shumë pozitive, për të ndërhyrë në një mënyrë më të gjerë jashtë rindërtimit. Qeveria e mbështet brenda programit të rindërtimit. Plani i detyruar vendor fillon më datën 18 shkurt për shkak të kalimit të zonës, sepse dhe vetë brenda nesh, bashkë me bashkinë kemi pasur diskutime të gjata.

Kruja, ndërhyrja është specifike. Do të akomodohet gjithë profili urbanistik që ka qyteti. Plani i detyruar vendor fillon më datën 18 të këtij muaji e mbaron në datën 18 të muajit mars.

Marikaj mbaron në 18 mars.

Kemi ndërhyrje në Golem, në zonën ku ndodhen pallatet e shkatërruar dhe plani i detyruar vendor përfundon në 18 mars.

Zona e Tiranës është Universiteti Bujqësor, ndërhyrja në godinat studentore, por jo thjesht me logjikën e rindërtimit të godinave studentore, por është përtej, një qendër studentësh, po me zhvillim ekonomik, kulturor, që të kthehet në gravitet në atë zonë. Plani i detyruar vendor përfundon në 17 mars.

Zona 5 Maji, e njëjta logjikë është përdorur edhe për këtë zonë. Plani i detyruar vendor përfundon në 17 mars. Edhe këtu logjika është një kombinim midis rindërtimit dhe zhvillimit urbano-ekonomik, edhe me partnerë privatë, përtej Fondit të Rindërtimit. E theksoj që Fondi i Rindërtimit do të financojë vetëm pjesën për të akomoduar ata që kanë humbur banesat nga tërmeti. Ndërsa pjesa tjetër është sigurisht me detyrim, përgjegjësi e Bashkisë së Tiranës nëpërmjet instrumenteve që i ka lejuar ligji i posaçëm.

Zona e Kombinatit, gjithashtu me të njëjtën filozofi. Plani i detyruar vendor mbaron në 17 mars. Zona e Shkozës, ose e Autotraktorëve, me të njëjtën filozofi, kombinimi midis rindërtimit dhe zhvillimit urban ekonomik. Po ashtu përfundon në 17 mars. Edhe këtu, të gjitha bëhen gati për ndërhyrjen në terren, në maj.

Zona e Baldushkut, – Tirana ka 9 zona të reja zhvillimore, – këtu mbaron plani i detyruar vendor në 17 mars. E njëjta gjë në Zall Herr, në Pezë, në Ndroq dhe në Vaqar.

Ajo që dua të theksoj për të gjithë këto zona rurale, Bashkia e Tiranës, sëbashku me ne ka tendencën, logjikën dhe në konsulte me komunitetin, të afrimit të të gjitha shtëpive që janë dëmtuar dhe në periferi të zonave rurale, por dhe në qendra të zonave rurale, për t’i përqendruar, duke kaluar në qendra të urbanizuara në këto njësi administrative.

Planet e detyruara vendore mbarojnë kryesisht midis 17, 18, 20 marsit, me procedure te përshpejtuar.

Shpronësimet kanë filluar. Për dijeninë tuaj, ata që shpronësohen në zonat që caktohen si zona me zhvillim të detyruar, shpronësohen 100% për metër katror dhe në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave, me çmimin e referencës. Pra, 100% për metër katror që ka dhe për truallin me çmimin e referencës të Këshillit të Ministrave.

Ndërkohë të dyja njësitë zbatuese, që janë Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia e Tiranës, kanë filluar punën në terren për verifikimin fizik të pronës, qoftë ato që janë të avancuara, qoftë në ato zona që sapo ka filluar puna për vlerësimin e tyre me P2V.

Komisioni i posaçëm në Ministrinë e Infrastrukturës ka filluar punën me intensitet dhe praktikisht, me zonën e Laçit, aty ku do të ndërtojë Enti i Kombëtar i Banesave të Turqisë, jemi në fazë të avancuar. Procesi mbaron në 25 shkurt. Vetëm dje, Enti Kombëtar i Banesave ka përfunduar procesin e marrjes zyrtarisht të modeleve të cilat janë bazuar në teknologjinë e re modulare. Këto do të jenë modelet 1 + 1, 2+1, 3+1, në bazë të ligjit. Çmimi ka qenë çmimi referent i Entit Kombëtar të Banesave. Teknologjia është e avancuar, është me elementë antisizmikë të standardeve europiane. Pasi Instituti të bëjë oponencën teknike të modeleve deri të hënën, ose të martën maksimumi, menjëherë i kalohen zyrtarisht modelet të dyja njësive zbatuese; Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Bashkisë së Tiranës, që të fillojnë procesin ndërkombëtar të prokurimit.

Ndërkohë kemi tabelat që të ndajmë me ju të gjithë dëmin dhe të gjithë nevojën.

Dëmi dhe humbjet janë 985 milionë euro.

Janë të ndara me sektorë. Strehimi është pjesa më e madhe e dëmit dhe e humbjeve. Pastaj vazhdon me gjithë infrastrukturën komunitare kritike, apo dhe dëmet sektoriale.

Humbjet sipas bashkive dhe sektorëve; Bashkia Durrës ka humbje të mëdha. Bashkia e Tiranës ka humbjet më të mëdha në vlerë nominale, ndërsa në raport me frymën e popullsisë është diskutim tjetër.

Dëmet; Bashkia Durrës 310 milionë euro, Bashkia Tiranë 303 milionë euro.

Janë 111 monumente kulture të dëmtuara dhe që duhet të rikonstruktohen. Javën që vjen, ne do ta fusim në procedurë të gjithë pjesën e monumenteve të kulturës.

Efektet në Prodhimin e Brendshëm Bruto; 6.4 e Prodhimit të Brendshëm Bruto, është shifra që iu referuam 985 milionë dëme dhe 1.1 humbje. E ngadalëson detyrimisht edhe rritjen ekonomike. 2.4 do të rezultojë në 2019-n dhe 3.2 rezulton në 2020-n, në krahasim me parashikimin. Është një ngadalësim me 0.5 në 2019-n dhe afërsisht 0.3 në 2020-n ngadalësim i rritjes.

Nevojat për rimëkëmbje sipas sektorëve, – është shifër që ka qarkulluar, tani është zyrtare – 1 miliardë e 73 milionë euro, e detajuar sipas metodologjisë që ju referuam më lart.

Nevojat e rimëkëmbjes sipas sektorëve; Strehimi është 74.81%. Në fund të projektit TOKI, që është projekti i Entit Kombëtar të Banesave të Republikës së Turqisë, janë 500 njësi banimi, shkollë e integruar dhe godinë e re e bashkisë. Procesi i shpronësimit parashikohet të përfundojë në 25 shkurt. Po përgatitet për dorëzimin e zonës. Përfundimi i ndërtimit brenda 6 muajve, siç është shprehur edhe ministri i Strehimit dhe Ambientit të Turqisë.

Kryeministri Edi Rama: Unë doja të bëja vetëm një sqarim shtesë. Të gjithë ata që janë të interesuar për këtë informacion dhe banojnë në zona rurale dhe këtu kam parasysh zonat rurale të Durrësit, Ishmi e me radhë, por edhe zona të tjera dhe nuk e gjejnë veten në këtë prezantim, duhet të kuptojnë që ky prezantim i zonave lidhet me zona të integruara, ndërkohë që banesat individuale do të rindërtohen të gjitha. Këtu nuk hyjmë në banesat individuale, pasi është e mirëqenë që do të ndërtohen të gjitha. Këtu bëhet fjalë vetëm për zonat e ndërtimit që nënkupton më shumë se një banesë bashkë, siç do të ndodhë në Thumane, siç do të ndodhë në zonat e Tiranës, në zonat e tjera dhe siç po vazhdon puna përgatitore për të bërë në pika të tjera, ku duhet gjetur edhe një lloji konsensusi me njerëzit e prekur.

Marin Mema: Ne kemi patur mundësi të komunikojmë dhe me ministrin e Rindërtimit, për të bërë një propozim për zonën e Ishmit, sa i takon krijimit të një qendre, duke respektuar të gjitha parametrat që do të vendosen dhe për t’i dhënë mundësi asaj zone të ketë një zhvillim, qoftë dhe turistik në të ardhmen. Një shqetësim të dytë që ne e kemi hasur, duke qenë se kemi nisur procesin e rindërtimit të 4 shtëpive, një nga elementët që ne kemi problem është çështja e TVSH –së për materialet e ndërtimit, e cila u deklarua se do të hiqej në mbledhjen e fundit të Komitetit të rindërtimit, një muaj e ca më parë, por, në fakt, sot rezulton që ajo ende nuk është hequr dhe ne kemi këtë problem madhor, duke patur parasysh që të paktën për tre javë, ne do të dorëzojmë shtëpitë e para dhe i bie që shteti në 4 shtëpi të mbajë një vetëm me TVSH.

Kryeministri Edi Rama: Nisjen përpara nuk e përshëndes, sepse kemi bërë një bisedë të qartë të gjithë bashkë, këtu në tavolinë, që nuk është çështja kush niset më përpara, këtu është çështja që të përfundojmë të gjithë brenda një plani të integruar. Kjo është edhe arsyeja pse ne kemi dakordësuar frenimin e nisjes më përpara. Nisja më përpara është rruga e shkurtër, që të bie më gjatë, sepse ajo që ndodh p.sh, me modelet. Modelet që ne kemi projektuar dhe kemi aprovuar janë modele, të cilët kanë të gjithë parametrat e nevojshëm dhe plus na japin mundësinë që, duke koordinuar sëbashku, të kemi një sasi të madhe dhe kështu të arrimë të kemi edhe një përfitim të përbashkët, që të bëjmë më shumë shtëpi, sesa po t’i blejmë tek e tek.

Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj: Ne kemi kaluar ligjin për heqjen e TVSH-së për të gjitha procesin, qoftë në import, qoftë në procesin e brendshëm, që në dhjetor, në komision dhe në Parlament. Ka patur procesin e vet bërja e VKM-së dhe e udhëzimit në Ministrinë e Financave dhe nesër, në qeveri, përfundimisht kemi kalimin e VKM-së ku e trajton në detaje, me korrektesë dhe me shumë transparencë gjithë procesin e TVSH-së, edhe të taksës doganore, edhe të taksës së infrastrukturës, për të mos patur asnjë konfuzion dhe asnjë devijim nga parimi. Që nga nesër besoj efektet janë të drejtpërdrejta. Ligji ka kaluar.

Marin Mema: Duke qenë se u deklarua një muaj më parë duhet të ishte e përfunduar, sepse u deklarua si një element që ishte bërë dhe që u mor si masë. Ne nuk është se e kemi nisur si një lloj gare çështjen e rindërtimit të shtëpive, por jemi duke ndihmuar disa familje që kanë qenë në kushte ekstreme, aq sa kemi mundur, për të mos i lënë t’u thellohet problematika. Kur kemi mundësi të ndihmojmë disa familje që vërtetë kanë patur raste specifike, ne e kemi bërë këtë, ndoshta duke e tejkaluar dhe nuk shoh asgjë të keqe në këtë pikë. Përkundrazi, sa më shpejt, sa më mirë do të përpiqemi, qoftë dhe duke kaluar disa gjëra, për të bërë sa më shumë për njerëzit. Njerëzit kanë patur nevojë për këtë proces.

Kryeministri Edi Rama: Meqë e hape këtë teme, me leje apo pa leje i keni bërë shtëpitë?

Marin Mema: Të gjitha me leje dhe për këtë kam një falënderim për njësitë vendore, Bashkinë Shijak dhe Bashkinë Krujë, për procedurën e përshpejtuar që na kanë garantuar. Ne nuk do të kishim bërë kurrë një ndërtim pa leje. Për ne është ligji, në radhë të parë.

Kryeministri Edi Rama: Unë mendoj që nuk duhet bërë kështu. Në qoftë se jemi në këtë tryezë, duhet të respektojmë ato që vendosim këtu, sepse po që puna për të thënë sesa nevoja kanë njerëzit dhe familjet, kanë shumë më tepër se aq. Nevojat imediate të familjeve, ne jemi munduar t’i përballojmë – natyrisht, çdo ndihmë që vjen nga gjithsekush është i mirëpritur, – duke i sistemuar me qera, duke u munduar t’u qëndrojmë pranë, me sa kemi mundësinë, atyre që janë në zonat rurale, sepse ata nuk lëvizin dot nga toka për të shkuar në hotele e në qytet. Arsyeja themelore pse ne kemi kërkuar këtë bashkërendim është që të mos i bëjmë gjerat shpejt sot dhe pastaj nesër të paguajnë kosto njerëzit. Do të ishte kollaj që ne të fillonim të gjithë, por nuk do të bënim dot gjënë që po bëjmë tani. Gjëja që po bëjmë tani është që të gjitha modelet janë të strukturuara, të miratuara me oponencën përkatëse, me të gjithë parametrat dhe i gjithë procesi shkon në një drejtim. Unë mendoj që, pa vënë absolutisht në dyshim qëllimin e mirë, nuk duhet të vazhdojë ky proces në mënyrë individuale. Jemi të gjithë këtu për një qëllim, të gjithë kemi një objektiv, duam ta bëjmë sa më shpejt, por shpejtësia ka një limit, sepse shpejtësia pa limit na çon në dëme të një natyre tjetër.

Elvis Naçi: Në lidhje me banesat individuale ka një shqetësim të drejtë, që sa kualitative janë dhe sa rezistente janë. Duke shpresuar për të bërë më të mirën, ne si fondacione apo si individë nuk është se pretendojmë të zgjidhim këtë hallin e madh që na ka rënë, por ne në errësirën e madhe të tërmetit u munduam të ndezim një qiri të vogël. Kush janë elementët që na sigurojnë që në këto shtëpi, njerëzit duhet të jenë më te rehatuar dhe të jenë më mirë sesa ishin në të kaluarën.

Elva Margariti: Është shumë e kuptueshme shqetësimi i banorëve, sidomos atyre në zonat rurale, të cilët kanë një mendësi të lidhur ngushtësisht me territorin dhe me mënyrën e tyre të jetesës së deritanishme dhe duke mos patur një informacion të drejtpërdrejtë të këtyre banesave. Banesat janë absolutisht brenda normave mëse të sigurta, sepse nisen pikë së pari, me të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me antisizmikën, me antizjarrin. Komfortet e siguruara dhe në metra katrorë shkojnë përtej atyre, të cilët banorët kanë aktualisht në banesat e tyre. Janë të studiuara si me standardet e jetesës së mirë, por, mbi të gjitha, duke u nisur nga konstruksioni. Atë çfarë kemi hartuar në këtë projekt është një bazë, një platformë betoni dhe material, të cilin e njohin të gjithë si material të sigurt, një konstruksion metalik, i cili dhe ai është një material i sigurt dhe një perimetër dhe një ndarje të mureve, të cilët, sado mund të jenë parafabrikate, janë rezistente, të hartuara me materiale të certifikuara, me materiale të shëndetshme për njerëzit. Ne kemi arritur deri në parashikimin e bojërave që do të përdorin në lyerje, që të jenë me pigmente të tilla që të jenë të shëndetshme, të rezistueshme. Çdo gjë është kryer në parashikimin në standarde më të larta jetese. Ky ka qenë emëruesi i përbashkët në çdo element që kemi marrë në konsideratë. Tashmë, me miratimin mendoj që një prezantim edhe më i detajuar mund të behet edhe nëpër komunitete. Ne do të shkojmë vetë në komunitete, ashtu siç kemi shkuar në Thumanë, ashtu siç kemi filluar të shikojmë jo vetëm banesën në vetvete, por ne këtë do ta përkthejmë në një standard më të lartë, duke krijuar një grupim të tyre dhe duke i krijuar një mënyrë jetese që shkon përtej asaj që ata kanë patur. Pra, një komunitet i ri, një jetë e re rurale. Nuk është vetëm godina që është e sigurt, por është i gjithë komuniteti i ri, që do të krijohet, që do t’i japë komplete në frymë të re zhvillimi.

Kryeministri Edi Rama: Mendoj që shumë shpejt, kjo historia e vënies në diskutim të modeleve do fashitet komplet, sepse bëhet fjalë për standarde shumë më të larta sesa standardet ekzistuese të godinave që janë brenda tipologjisë të atyre që janë prishur. Nga pikëpamja sizmike, ekologjike dhe e efiçensës së energjisë janë godina, modele të konsoliduara dhe të konfirmuara që përdoren në të gjitha vendet e zhvilluara. Në një diskutim që pata me ministrin e Planifikimit të Turqisë që ishte këtu për të ndjekur procesin dhe situatën në zonën e Laçit, ku ata do të bëjnë ndërtimin, më tha pikërisht këtë gjë, kemi dhe ne të njëjtin debat, por pastaj kur bien tërmetet, nisen të shkojnë drejt këtyre shtëpive. Sa e harrojnë tërmetin, duan prapë tulla dhe llaç, se iu duket sikur është status. Ne po shkojmë gjithmonë e më shumë përtej këtyre, sepse tani dhe teknologjia është përmirësuar shumë dhe standardet janë përmirësuar shumë dhe janë godina shumë herë me efiçente, sesa godinat e ndërtuara me tulla dhe llaç. Kjo kuptohet, kur bëhet fjalë për kosto normale, sepse mund të ndërtosh edhe me kosto 1 mijë euro/metri katror dhe kjo është tjetër histori, ne po flasim për godina të një tërësie kushtesh banimi normale.