Kantieri i madh i transformimit të konvikteve UBT

  • Postuar më 27/01/2021

Zona e degraduar keqazi e konvikteve të Universitetit Bujqësor të Tiranës është shndërruar në kantierin më të madh të transformimit, ku çdo gjë ka nisur nga e para, pas goditjes fatale të 26 nëntorit. Tetë godina të reja do të rindërtohen nga themelet për 2200 studentë, të cilët do të jetojnë në kushte optimale si edhe në konviktet në Europë. Godinat do të jenë moderne, me standarde europiane, ku studentët do të kenë ambientet e ngrënies, ambientet e fjetjes, ambientet e studimit, e konceptuar si një qendër komunitare. Ndërkohë se bashku me 8 godinat, Bashkia e Tiranës ka filluar punën edhe me 2 godinat tek mjekësia dhe një godinë në Qytetin Studenti në Tiranë”, – u shpreh ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj, gjatë inspektimit që Kryeministri Rama bëri sot në kantier. Ministri Ahmetaj shtoi se sipas udhëzimeve të Kryeministrit dhe koordinimit me Ministrinë e Arsimit, gjithçka është konceptuar si pjesë e Paktit për Universitetin. “Sëbashku me kryetarin e Bashkisë, ashtu siç na kërkuat dhe me ministren e konceptuam si pjesë të Paktit për Universitetin dhe përfituam nga momenti kur duhet të rindërtonim më  mirë, më fort dhe më bukur.”

Kryetari I Bashkisë së Ttiranës, Erion Veliaj tha se konviktet nuk do të jenë thjeshtë fjetina, por do të funksionojnë si qendra komunitare. “Këtu është vetëm njëri nga 8 kantieret dhe deri në verë do të kemi mundësinë të mbarojmë karabinatë, – u shpreh Veliaj, – Në varësi se si shkon rihapja e konvikteve në shtator, në tetor do të kemi gati. E kemi bërë bisedë me rektoratin që disa nga zyrat e UBT-së, ose disa miniklasa seminaresh dhe laboratorësh t’i kemin tek konviktet, d.m.th, nga fjetina që popullohen vetëm në darkë, t’i kemi qendra komunitare gjatë gjithë kohës. Gjithashtu do të punojmë dhe me infrastrukturën.”

Kryebashkiaku Veliaj sqaroi gjithashtu se i është dhënë zgjidhje problemit të strehimit të banorëve që ishin akomoduar aty që prej viteve ‘97’-‘98-të. “Një nga shqetësimet që ju keni lënë porosi ka qënë akomodimi i banorëve nga ‘97-98-ta. Momentalisht, ata janë të gjithë me bonus qeraje dhe do të trajtohen me strehim në kuadër të rindërtimit nga tërmeti.”

Ndërsa Kryeministri Rama e vlerësoi si një ndryshim radikal faktin se këto ndërtime dhe sistemime në infrastrukturë do të sjellin një ripërtëritje urbane të gjithë zonës përreth. “Ky është ndryshim radikal sepse, përveç faktit që do të akomodohen studentët me standardet njësoj si konviktet më të mira në Europë, sjell një ripërtëritje të madhe urbane të të gjithë zonës dhe do të krijojë  një gravitet tjetër të zonës. Do rrisi vlerën e zonës, do rrisë vlerën e truallit, do rrisë vlerën e pasurive dhe do të rrisë vlerën e Universitetit Bujqësor si destinacion studimesh dhe si destinacion për çfarë kemi diskutuar dhe kemi folur edhe me stafin e univestiteti, për t’u vënë në dispozicion të fermerëve të inovacionit dhe të gjithë aspekteve që kanë të bëjnë me laboratorët dhe marrëdhëniet me tregun e punës.”