Durrës, granti i qeverisë për meremetimin u kursen familjeve 43 milionë USD

  • Postuar më 02/12/2020

Në Durrës po ecën me ritme të larta meremetimi i 94 pallateve në zonën e plazhit. Punimet e jashtme të pallateve janë drejt fundit. Kryeministri Rama inspektoi sot punimet në zonën e plazhit, i shoqëruar nga ministri për Rindërtimin Arben Ahemtaj dhe kryetaren e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako. Kryebashkiakia Sako informoi se “kanë përfunduar në gjithë Durrësin 145 objekte, të cilat përkthehen në 300 familje të hequra nga bonusi i qerasë dhe të sistemuara në shtëpitë e tyre”.

Në total janë 615 pallate në gjithë Bashkinë e Durrësit, të cilat do të restaurohen, ndërkohë që banorët po përfundojnë meremetimet e apartamenteve, falë grantit rreth 4 miliardë lekës, të dhënë nga qeveria për 9700 familje.

“Këto familje, pa grantin do detyroheshin të bënin një shpenzim jo të vogël”, – u shpreh Kryeministri Rama, teksa u mbështet me shifra nga ministri i Rindertimit që shtoi se “këto familje, pa grantin do shpenzonin 43 milionë dollarë për të rregulluar shtëpitë”.

Gjatë inspektimit të ambienteve të përbashkëta, Kryeministri Rama u ftua nga disa banorë në apartamentet e tyre tashmë të meremetuara dhe shumë më të bukura e të forta se ato që tërmeti i vitit te kaluar dëmtoi.