
Baldushk, Tiranë – Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj në kantierin e Baldushkut, ku po punohet për ndërtimin e 50 shtëpive për familjet që humbën strehën në 26 nëntor.
Në këtë zonë, do të ndërtohet një lagje e re fshati me banesa individuale, për t’i afruar familjet në komunitet, me një qasje më të shpejtë në infrastrukturën e kryeqytetit, me qendrën shëndetësore, me shkollën, kopshtin, çerdhen, me shërbimet administrative dhe me një sistem të ri furnizimi me ujë e me energji.
Këshilli i Ministrave dje akordoi 140 milion $ për bashkinë e Tiranës për zonën e 5 Majit dhe për zonën e Kombinatit, ku do të ndërtohen pole të reja të kryeqytetit. Së bashku me fondin 160 milion $ që qeveria i ka kaluar Fondit Shqiptar të Zhvillimit tre javë më parë për rindërtimin e pallateve në 10 bashkitë e tjera, bëhen 300 milion $ nga buxheti i shtetit, për zbatimin e projekteve tanimë të përfunduara të pallateve të reja dhe të infrastrukturës shoqëruese për këto qendra banimi, ku familjet e prekura nga fatkeqësia e 26 nëntorit, do t’i gëzohen një cilësie të re jete në banesën e në komunitetin e tyre.