Ministri i Shtetit për Rindërtimin është përgjegjës për hartimin dhe ndjekjen e zbatimit të masave për eliminimin e pasojave dhe rindërtimin e objekteve të dëmtuara e të shkatërruara nga fatkeqësia natyrore, tërmeti i datës 26.11.2019.
Ai e ushtron veprimtarinë e tij në këto fusha përgjegjësie shtetërore:
1. Në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Ministrave, ndjek dhe bashkërendon veprimtarinë e
ministrive dhe të institucioneve të tjera, publike e shtetërore, për:
a) hartimin dhe miratimin e programeve të procesit të rindërtimit të objekteve të dëmtuara dhe të shkatërruara;
b) planifikimin dhe shpërndarjen e fondeve buxhetore për realizimin e programeve të procesit të rindërtimit;
c) evidentimin e burimeve të brendshme, materiale dhe njerëzore, që disponojnë institucionet, publike e shtetërore, dhe përcaktimin e mënyrës së përdorimit të tyre për realizimin e programeve të procesit të rindërtimit;
ç) drejtimin operacional të strukturave dhe të njësive të veçanta, shtetërore dhe publike, të
ngarkuara drejtpërdrejt për kryerjen e detyrave, në terren, në zbatim të programeve të procesit të rindërtimit;
d) ndjekjen e zbatimit të përgjegjësive dhe të detyrave të ngarkuara për ministritë dhe
institucionet e tjera, për trajtimin e shtetasve që kanë humbur familjarët dhe/ose që kanë mbetur të pastrehë, si pasojë e tërmetit;
dh) ndjekjen e zbatimit të përgjegjësive dhe të detyrave të ngarkuara për njësitë e
vetëqeverisjes vendore dhe të strukturave në varësi të tyre, për trajtimin e shtetasve që kanë humbur familjarët dhe/ose kanë mbetur të pastrehë, si pasojë e tërmetit;
e) ndjekjen e zbatimit të përgjegjësive dhe të detyrave të ngarkuara për strukturat e posaçme, të ngritura me ligj apo vendim, për përballimin e pasojave të shkaktuara nga tërmeti.
2. Si përfaqësues i Këshillit të Ministrave, kontakton dhe bashkërendon me organizatat
shtetërore dhe organizmat kombëtarë e ndërkombëtarë, shoqatat, personalitetet publike dhe donatorë të ndryshëm, brenda dhe jashtë vendit, për:
a) prezantimin e gjendjes dhe të dëmeve të shkaktuara;
b) përgatitjen dhe propozimin e projekteve, të përgjithshme e të veçanta, si pjesë e programeve të procesit të rindërtimit;
c) detajimin e nevojave dhe paraqitjen e kërkesave për donacione financiare dhe mbështetje të specializuar njerëzore;
ç) informimin e secilit prej tyre për mënyrën e përdorimit dhe të eficiencës së arritur për çdo donacion apo mbështetje tjetër të ofruar prej tyre.
3. Përgatit dhe paraqet për miratim në Këshillin e Ministrave projektakte ligjore e nënligjore. Nxit, bashkërendon dhe jep mendim për projektaktet që propozohen nga ministrat, të cilat trajtojnë, ndër të tjera, edhe çështje me interes ose brenda fushës së përgjegjësisë së tij.
4. Përfaqëson Këshillin e Ministrave në marrëdhëniet e informimit të publikut për çështjet
brenda fushës së tij të përgjegjësisë.
III. Ministri i Shtetit për Rindërtimin, për realizimin e fushës së përgjegjësisë, ka këto
kompetenca:
1. Merr pjesë në mbledhjet e Komitetit të Emergjencave Civile.
2. Thërret për raportim dhe ngarkon me detyra strukturat e mbrojtjes civile.
3. Krijon grupet e punës dhe organizon veprimtarinë për hartimin dhe miratimin e programeve të procesit të rindërtimit.
4. Bashkërendon me ministritë dhe institucionet shtetërore për sigurimin e të dhënave të
nevojshme dhe përcjelljen e porosive në funksion të realizimit të programeve të procesit të rindërtimit.
5. Drejton dhe koordinon, në nivel qendror, strukturat operacionale për përballimin e
pasojave dhe zbatimin e programeve të procesit të rindërtimit.
6. Informon vazhdimisht dhe në kohë Kryeministrin, kur është rasti, edhe Këshillin e
Ministrave, për realizimin e programeve të procesit të rindërtimit e të përdorimit të burimeve materiale e njerëzore.
7. Kontakton në vijimësi dhe, për çështje të veçanta, me organizatat ndërkombëtare dhe
donatorë të ndryshëm, brenda dhe jashtë vendit, për garantimin e ekspertizës së hartimit dhe për realizimin e programeve të procesit të rindërtimit.