Përgjegjësi penale në rast shkelje për të gjithë zinxhirin e ndërtimit

  • Posted on 17/02/2020

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Kuvend mbi projektligjin “Për kontrollin dhe disiplinimin e ndërtimeve”:

Ky ligj është i rëndësishëm dhe përmban disa elementë të nevojshëm që mungonin në bazën ligjore ekzistuese, por, përtej këtij ligji, ajo që dua të nënvizoj është nevoja për të plotësuar këtë bazë, edhe si reflektim pas tragjedisë së 26 nëntorit dhe këtu kam parasysh reflektimin e atyre që deri dje kanë penguar edhe në këtë sallë, çka në fakt duhet të ishte bërë me kohë, përgjegjësinë penale për të gjithë zinxhirin e ndërtimit, që do të thotë, dhënien fund të çdo mundësie për t’i larë duart pasi mbushen xhepat me volume të ndërtuara jashtë lejeve të ndërtimit.

Ky në fakt është fenomeni më i shëmtuar dhe më i rrezikshëm që e ka shoqëruar Shqipërinë në këto 30 vjet, në aspektin e sigurisë së ndërtimit, në aspektin e cilësisë së hapësirës urbane, patjetër edhe në aspektin e shëmtisë që ka karakterizuar në vijim degradimin e procesit nga leja e ndërtimit te zbatimi i saj. Kaq e vërtetë është kjo, sa, po të bënim një ekspozitë të projekteve që miratohen dhe të projekteve që janë zbatuar në realitet, do kishim dy botë krejt të ndryshme.

Ju siguroj se një pjesë e madhe e ndërtesave në Tiranë, padiskutim edhe në qytete të tjera nuk kanë lidhje fare me lejet e ndërtimit të miratuara, jo vetëm në aspektin e cilësisë, por në volumin dhe formën e tyre. Nëse do të ishin zbatuar projektet e miratuara nga bashkitë dhe këtu s’po bëj asnjë diferencim, do kishim sot, pas 30 vitesh, qytete shumë më cilësorë në pikëpamje të urbanistikës dhe të arkitekturës sesa ato që kemi sot.

Ajo që ka ndodhur historikisht dhe që ka sjellë edhe situatën e papranueshme të pamundësisë për qindra-mijëra familje për të zotëruar pronën e tyre, pasi e blejnë lekë më lekë nga ndërtuesit, është tejkalimi i të gjithë kornizës së lejes së miratuar: kate shtesë lart, shtesa anash. Faktikisht, në një masë të patolerueshme rastesh, ajo që nis me miratimin e lejes është një trup që pastaj shfaqet i stërzmadhuar në realitet nga shkelja e ligjit.

Pse nuk ka funksionuar kontrolli mbi ndërtimet e ligjshme në nisje, që në fund pastaj janë të paligjshme?

Nuk ka funksionuar sepse nuk mund të funksionojë me sistemin që është mbrojtur këtu në këtë sallë, për vite e vite të tëra, për dekada. Ka qenë një betejë e nisur prej meje qysh në vitet e para në Bashkinë e Tiranës dhe e humbur vijimësisht që nga përpjekja për të ndëshkuar me sanksione të rënda çdo metër katror jashtë lejes, që në këtë Parlament, asokohe u kthye në një incentivë për të ndërtuar më shumë, sepse nga gjoba e propozuar prej meje në atë kohë, me 100% për metrat katrorë të apartamenteve dhe 150% për metrat katrorë të dyqaneve, gjë që do frenonte ndërtimet për metrat katrorë shtesë se do e bënte praktikisht pa asnjë vlerë ekonomike, u zbrit këtu në këtë sallë në 4% të kostos për metrat katrorë të shtëpive dhe 8% të kostos për metrat katrorë të dyqaneve.

Tani, imagjinojeni vetë, shumë thjeshtë! Ky është incentiv për të ndërtuar pa leje jashtë lejes së miratuar. Ky nuk është sanksion, sepse çdokujt, gjëja e parë që i shkon mendja është, çfarë problemi ka që po shtoj metra katrorë dhe po paguaj 4% të kostos për një apartament, apo 8% të kostos për një dyqan?! S’ka asnjë problem!

Nuk mund të funksionojë kontrolli mbi lejet e ndërtimit, nëse nuk ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë penale për të gjithë zinxhirin, që do të thotë, arkitektët nuk mund të dorëzojnë projektin në letër dhe të ikin. Arkitektët janë përgjegjës për realizimin e projektit dhe duhet të firmosin në fund, kur projekti është realizuar, komformitetin e asaj godine që është ngritur me projektin që ata kanë dorëzuar në bashki. Konstruktorët nuk mund të mos mbajnë përgjegjësi penale, nëse pasi merret leja në bashki për një godinë me 5 kate, zhvilluesi i thotë ta bëjmë 8 dhe konstruktori për t’iu adaptuar kërkesës së zhvilluesit bën një konstruksion për 8 kate. Nuk mundet!

Supervizorët, kolaudatorët nuk mundet të supervizojnë e të koaludojnë pa denoncuar ndërtime që dalin nga leja e miratuar. Është e gjitha e paligjshme dhe shkon deri në kriminale, kur familjet që paguajnë për të marrë një apartament apo një dyqan, nuk marrin dot mbrapsht hipotekën, nuk kanë asnjë kolateral. Marrin strehën, apo hapësirën e aktivitetit, por nuk marrin dot pronën, sepse ka vetëm një pengesë, që përgjithësisht nuk është kapërcyer dot nga korrupsioni, firma finale e bashkisë për lejen shfrytëzimit. Te leja e shfrytëzimit të gjithë nëpunësit e bashkive janë shumë të kujdesshëm, sepse përndryshe i thonë burgut hapu nëse miratojnë shfrytëzimin e një godine që nuk ka respektuar lejen e ndërtimit. Sepse faktikisht ajo që ndodhi në Durrës, përtej atyre që thuhen dhe stërthuhen në propagandën mediatike dhe politike, është historia e godinave që i përkasin kësaj kategorie që po flas unë. Nuk janë shembur në Durrës dhe nuk janë dëmtuar në strukturë, godina që kanë respektuar parametrat e lejes së ndërtimit. Janë shembur dhe kanë sjellë viktima, godina që në lejen e ndërtimit janë 3 kate dhe në realitet vajtën 8 kate, vit pas viti, shto ujë e shto miell, apo godina që u morën për 5 kate dhe u bënë 10 kate. Ato morën jetë njerëzish.

Nuk mund të funksionojë dot jashtë përgjegjësisë penale, ky sistem që ka sjellë gjunjëzimin e shtetit në të gjitha rastet kur shteti ka tentuar të marrë masa, sepse zhvilluesit, pasi kanë shkelur me të 4 gjymtyrët e tyre lejen e ndërtimit dhe janë vënë përpara një kontrolli dhe një vendimi të inspektoratit përkatës për shembjen, kanë vajtur në gjykatë dhe faktikisht, me gjykatë kanë gjunjëzuar shtetin, duke marrë edhe legalizimin e paligjshëm, por të urdhëruar nga gjykata, të shtesës. Kam parasysh një shembull tipik këtu, shumë pak metra larg nga Drejtoria e Policisë në Tiranë, një pallat me 4 kate shtesë, për të cilin u bë një betejë ligjore mes Policisë, Inspektoratit dhe zhvilluesit dhe në fund Policia dhe Inspektorati u turpëruan në sallën e gjyqit dhe zhvilluesit përqeshi shtetin dhe vazhdoi punën.

Prandaj pas këtij ligji, ne duhet të kalojmë normat e reja në Kodin Penal, që ngarkojnë me përgjegjësi të drejtpërdrejtë të gjithë zinxhirin, në mënyrë që t’i bëhet shumë e qartë arkitektit, që në momentin kur zhvilluesi cenon veprën e tij, sepse është autori arkitekti, ai nuk mund të bashkëpunojë më me zhvilluesin, por duhet të sinjalizojë shtetin, siç prezumohet se duhet të ndodhë në gjithë botën, por, natyrisht, këto gjëra nuk imagjinohen në Gjermani apo në Francë. Po kështu, konstruktori, po kështu kolaudatori dhe supervizori, padiskutim dhe zhvilluesi.

Nuk mundet dot që gjykatësit t’i lihet diskrecioni që të fillojë të hyjë në tematikën, a është e rrezikshme, apo nuk është e rrezikshme shtesa. Shtesa, e rrezikshme apo e parrezikshme, është shkelje e ligjit që sjell, e para, cenimin e sigurisë juridike të pronës së atyre që e kanë blerë atë godinë, e dyta, sjell përfitim të paligjshëm ekonomik dhe financiar në kurriz të qytetarëve. Prandaj, ky aspekt është i domosdoshëm për të plotësuar këtë kornizë dhe në fund nuk mundet dot që sistemi ta mbrojë ndërtuesin që zhvillon jashtë lejes së ndërtimit dhe shet metra katrorë të paligjshme, duke vendosur në ligj një konfuzion total mbi çfarë duhet bërë me këtë ndërtesë. Nuk mund të ketë ndërtesa që janë gjysmë të ligjshme, gjysmë të paligjshme. Në momentin kur ke marrë leje për të bërë 5 kate dhe bën 6, ndërtesa është e gjitha e paligjshme. Nuk mund të jetë që të prishet kati i gjashtë. Jo, nuk prishet kati i gjashtë, se të prishësh katin e gjashtë do të thotë të hysh në një histori që nga pikëpamja ekonomike, nga pikëpamja inxhinierike, nga pikëpamja e kohës, e stërmundon shtetin, ndërkohë që ndërtuesit nuk i hyn asnjë gjemb në këmbë. Edhe në rastin kur prezumojmë se kjo mund të ndodhë, e gjithë historia e procedimeve gjyqësore ka treguar se kjo nuk ndodh sepse KÇK-ja asnjëherë nuk e ka lejuar këtë gjë. Përkundrazi, KÇK-ja gjithmonë e ka gjunjëzuar shtetin dhe ka favorizuar ndërtuesin. Prandaj, ajo çka duhet bërë taksative është që çdo volum i ndërtuar për qëllim fitimi, pra, flasim për banesa, për godina me shumë njësi, nuk flasim për shtëpitë e njerëzve në fshat, duhet ose shembur, ose sekuestruar për qëllime sociale. Nuk mund të jetë më pronë e atyre që e kanë ndërtuar. Vetëm mbyllja e këtij cikli do të bëjë që më në fund edhe në Shqipëri të kemi ndërtime që janë në përputhje me ligjin dhe me të gjitha normat e planifikimit e të gjitha ndërtimit.

I rroftë këtij Parlamenti që tre dekada me radhë ka kaluar ligje për planifikimin urban, për zhvillimin e territorit, për kontrollin e territorit! I rroftë këtij shteti që tre dekada me radhë ka vijuar të bëjë luftëra, për të vënë në kontroll territorin, kur në fund të ditës, ata, të cilët janë problemi kryesor, që janë ata që ndërtojnë për qëllim fitimi, kanë përfituar në mënyrë marramendëse në kurriz të të gjithëve, duke cenuar hapësirën urbane, duke cenuar cilësinë e jetës së komunitetit, sepse tjetër cilësi jete ka në një zonë ku ndërtohet sipas normave të planifikimit dhe tjetër cilësi jete ka në një zonë ku ndërtohet jashtë normave të planifikimit.

Sot, me të drejtë, shumëkush qahet për transformimin marramendës të hapësirave të parkimeve nën godina në dyqane dhe për ato shkallët që shkojnë poshtë, duke e kthyer parkimin në dyqan, por edhe duke cenuar sigurinë e godinës. Apo për kthimin e kateve të para të pallateve të vjetra në njësi tregtare. Ama, nëse sot është shumë vonë për t’i kthyer të gjitha në gjendjen e mëparshme, sot është koha për të mos lejuar që këto fenomene të vazhdojnë të mbijetojnë dhe pas asaj tragjedie.

Kështu që, të gjithë janë të mirëkuptuar, edhe të falur që ta harrojnë 26 nëntorin, që t’i harrojnë 51 viktima, që t’i harrojnë 1000 të plagosur, ne jo. Me asnjë çmim! Le të çohen të gjithë ndërtuesit e Shqipërisë të bëhen bashkë, le të armiqësohen me ne e të bëjnë çfarë të duan, nuk kanë për të pasur më asnjë fleksibilitet. E nuk do të kenë më asnjë fleksibilitet nga kjo shumicë qeverisëse e shpresoj dhe nga të tjerë që janë këtu, se kjo nuk ka të bëjë me politikën majtas djathtas, kjo ka të bëjë me diçka fare elementare për integritetin e shtetit.

Prandaj e mora fjalën, për ta bërë të qartë për publikun që masat tona ligjore, lidhur me çfarë duhet ta pasojë si mësim për të ardhmen 26 nëntorin, nuk ndalen tek ky ligj që po miratojmë sot, që është i nevojshëm e që ka shumë elementë që ishin të munguar në legjislacion dhe që është i kotë, në rast se ne nuk e plotësojmë me masat penale për të gjithë zinxhirin e ndërtimit dhe në rast se ne nuk e vendosim një herë e mirë me votë këtu e me vulë në fletoren e legjislacionit shqiptar, që çdo godinë për të cilën merret leje ndërtimi dhe kur leja e ndërtimit shkelet, shembet ose sekuestrohet, nuk mund ta gëzojë ai që e ka ndërtuar.

Pastaj, sanksionet për ndërtimet individuale pa leje nuk diskutohet, por kjo është pjesa e nevojshme, por hipokrite e gjithë këtij procesi, në rast se nuk goditen në radhë të parë, ata që janë përfituesit më të mëdhenj nga shkeljet. Në fund të fundit, një individ që ndërton një shtëpi në periferi apo në fshat dhe shkel lejen, e shkel lejen në funksion të thjeshtë, nuk e di se cilës pjesë të interesit, apo të dëshirës për të pasur më shumë saç i është dhënë leja, por jo për të fituar në kurriz të të tjerëve. Ndërkohë që një individ që shkel lejen për të fituar në kurriz të të gjithëve, pa harruar dhe kurrizin e fëmijëve që rriten në atë komunitet, të cilëve u ngushton hapësirat dhe rrugët e frymëmarrjes, nuk mundet më të amnistohet në Republikën e Shqipërisë. Ajo kategori ka qenë një kategori e mbrojtur në mënyrë të verbër e të vazhdueshme nga paaftësia për të bërë shtet, patjetër nga padituria për si mund të përballet, por natyrisht, edhe nga shkelja e syrit ndaj asaj kategorie.

Kështu që duke i respektuar të gjithë ata që investojnë e ndërtojnë sepse krijojnë të mira për familjet, për biznesin, për ekonominë, duhet t’i japim një mesazh shumë të qartë që kufiri është i pakapërcyeshëm mes shtetit dhe atyre, mes interesit publik dhe interesit privat dhe atë kufi e përcakton ligji, e përcaktojnë planet, masterplanet, planet e detajuara dhe dokumentet zyrtare të lejeve të ndërtimit.

Faleminderit!